Shqipëria është ndër vendet me nivelin më të ulët të zëvendësimit të përfitimit të papunësisë. Kjo do të thotë që ata që dalin si të papunë marrin një pagesë ndjeshëm të ulët në raport me atë që kanë kontribuar nëse e llogarisim si një mesatare të përgjithshme të pagave. Për dikë që paguhej me pagë mesatare përfitimi i papunësisë mbulon vetëm 25 për qind të asaj që merrte më parë.
Këto detaje janë dhënë në raportin e fundit të Bankës Botërore që ka analizuar disa aspekte të mbrojtjes sociale duke e cilësuar Shqipërinë si një ndër vendet me mbulim të ulet të përfitimit të papunësisë por mbi të gjitha shpenzimet nuk vlerësohen shumë transparente.
“Përfitimet e papunësisë kanë mbulim të ulët të rregullt, dhe shpenzimet nuk janë transparente. Në vitet e fundit përfitimet e papunësisë janë paguar në më pak se 5 për qind të të papunëve të regjistruar, dhe përfitimet mujore janë të fiksuara në nivelin sa gjysma e pagës minimale, duke ofruar pak nxitje për formalizimin, përmirësimin e aftësive ose përputhjen më të mirë me vendin e punës.
Ky përfitim i fiksuar u siguron punëkërkuesve një normë zëvendësimi relativisht të ulët në raport me përfitimet e papunësisë me vende të tjera të krahasueshme edhe pse gjithashtu ka një normë kontributi relativisht të ulët (Figura 10).
Një individ që fito një pagesë mesatare bruto arrin të marrë vetëm 25 për qind të pagës së mëparshme. Në vitin 2019 vetëm 504 milionë lekë (ose rreth 4.2 milionë euro) e kontributeve të mbledhura në lekë të vlerësuara në 3,092 lekë milionë (ose rreth 25.5 milionë euro) shkuan drejt skemës së rregullt të përfitimit të papunësisë. Në të njëjtën kohë, gati 2,164 milionë lekë (ose rreth 17.8 euro milionë) janë paguar si masa të veçanta, si p.sh punëtorë të industrisë së naftës, minierave dhe metalurgjisë ose ish-pjesëtarë të ushtrisë”, thuhet në raport.
I njëjti ndalet edhe në elementë të skemave të punësimit për ata që janë si punëkërkues aktivë duke nënvizuar se programet aktive nuk mbulojnë siç duhet në mënyrë të përshtatshme grupet që janë më vulerabël në aspektin social.
Ligji që synonte promovimin e punës duke vendosur kuota të qarta duke synuar pjesëmarrjen më aktive të disa grupeve sociale është aktiv por mbetet e paqartë sesi mblidhen detyrimet nga bizneset që nuk punësojnë numrin minimal të personave me aftësi të kufizuara sikurse përcaktohet në kuadrin ligjor./Monitor