Për të tretën ditë radhazi, veriu i Kosovës është ende i bllokuar nga qytetarët serbë. Kalimi në vendkalimin Bërnjak dhe Jarinje nuk është i mundur as në këmbë. Shkollat fillore dhe të mesme në veri janë mbyllur. Ndërkohë sot pritet që KFOR-i gjatë orëve të ardhshme të largojë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë në veri, por ende rrugët janë të bllokuara.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri të ditur se pas seancës së 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë. Ndërkohë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të takojë sot në Prishtinë udhëheqësit e Republikës së Kosovës. Sakaq kryeministri Edi Rama tha se qeveria e Kosovës ka gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e qeverisë shqiptare për situatën në veri.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të jenë të qetë dhe paqësor. Pak pas orës 21:00, breshëri zjarri dhe shpërthimi u dëgjuan në Rudar afër Zveçanit, ndërsa ende nuk dihet se kush ka qëlluar. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka bërë të ditur se është formuar Shtabi i Krizave, i cili do të raportojë rregullisht për gjendjen në terren. Për shkak të ngjarjeve në Kosovë është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi. Ambasadorët e SHBA-së dhe Britanisë kanë kërkuar që menjëherë të largohen barrikadat e vendosura në veri.