Për shkak të pandemisë dhe mbylljes së kufijve jashtë, Pranvera, ndonëse prej një dekade që udhëtonte kudo, zbuloi më tepër “thesare” në vendin tonë. Krahas angazhimit në biznes, Pranvera Rrapushi thotë se veçon hiking si një ndër aktivitetet më të bukura për të bërë në Shqipëri, të cilin e konsideron jo vetëm hobi. “Turizmi i aventurës për mua është paqe, pavarësisht mungesës së kohës nga sipërmarrja që kam, apo angazhimet në mentorime start up-esh, natyra, të shijosh aktivitetet që mund të bësh atje, për mua është gjithçka” – thotë Pranvera.
Kur nis sezoni veror, shpesh deti duket si alternativa e vetme, jo vetëm për t’i shpëtuar vapës, por edhe për t’u argëtuar. Shqipëria, me potencialin turistik, mund të ofrojë më shumë sidomos për ata që kërkojnë të lëvizin, të provojnë përvoja të reja, apo të sfidojnë veten, si p.sh., në zhytjet nënujore, në fluturimet e organizuara, sportin e adrenalinës rafting, ecjet në Alpet magjepsëse e të tjera aktivitete në atë, që quhet turizmi i aventurës.
Ndërsa shqiptarët kërkojnë përvoja të reja dhe të ndryshme, turizmi i aventurës vazhdon të rritet dhe të ketë popullaritet. Me të gjithë aktivitetet që përfshin, kjo formë turizmi, larg qëndrimit sedentar në shezlong apo konsumimit të një pije në breg të detit, ka të bëjë me lidhjen me një kulturë ose një peizazh të ri dhe duke qenë fizikisht aktiv në të njëjtën kohë – pohon Neritan Ibi, drejtues i “My Albania Nature Explorers”. Ai shton se aktivitetet e aventurës nuk kanë të bëjnë me rrezikun apo arritjen e kufijve tuaj. Përkundrazi, të argëtohesh duke bërë aktivitet fizik, e cila për Neritanin është shumë e rëndësishme që guida profesionale të ofrojë sigurinë maksimale.
Blerina Ago, eksperte turizmi dhe anëtare ekzekutive e Federatës Botërore të Rafting, pohon se, një nga ndikimet e pandemisë në industrinë e turizmit është kthimi i vëmendjes së operatorëve turistikë dhe udhëtarëve drejt turizmit të gjelbër, përvojave të lidhura me natyrën. Sipas saj, turizmi i aventurës është lloji i turizmit, i cili po kthehet më shpejt me hapjen graduale të lëvizshmërisë.
“Gjatë pjesëmarrjes virtuale në këta muaj në panaire dhe evente të ndryshme ndërkombëtare si ITB Berlin, Adventure Elevate Europe, New Deal Europe dhe World Tourism Forum Lucerne, kuptohej dukshëm kërkesa e aktorëve të turizmit për të lidhur kulturën dhe natyrën e një vendi nëpërmjet aktiviteteve fizike në ajër, ujë e tokë, me fjalë të tjera përvoja të turizmit aventurë, eko-turizmit apo turizmit rural”- thotë znj. Ago.
Në Shqipëri, sipas saj, pandemia solli dhe një kulturë pozitive. Shqiptarët u larguan nga tendenca e kërkimit të destinacioneve të cilat në thelb kishin kulinarinë (të ngrënies së drekave dhe darkave) dhe pushimit pasiv.
“Kemi vënë re që iu janë drejtuar më shumë maleve, zonave rurale të paeksploruara dhe aktiviteteve në natyrë. Më në fund, ne po zbulojmë bukuritë e panumërta të Shqipërisë!” -pohon ajo. Në përvojën e saj si turiste e aventurës, Pranvera thotë se aventura, është turizmi më i bukur dhe i përshtatet më së shumti Shqipërisë sonë të mrekullueshme, për ta eksploruar e për ta shëtitur përpara se të zgjedhim të udhëtojmë jashtë vendit. Përveç kësaj, pandemia dhe mbylljet e kufijve bënë që të gjithë të kthenin kokën nga oferta aktuale e vendit. Sipas saj, në muajt prill – maj e më pas është koha ideale për të nisur aventurat.
Problematika
Infrastruktura, mungesa e investimeve në zona të caktuara, si dhe konkurrenca e pandershme nga operatorë që nuk plotësojnë kushtet e një guide profesionale për të tilla aktivitete renditen nga agjencitë kryesore si problematikat kryesore. Problemi kryesor mbetet pandemia dhe shtrirja e saj të gjatë.
Çmimi
Blerina Ago pohon se është e vështirë të flasësh për kosto, pasi aktivitetet e aventurës janë nga më të thjeshtat si p.sh., ecjet nëpër parqet kombëtare apo monumentet e natyrës e deri tek ato që kërkojnë më tepër angazhim, si për sa i përket profesionalizmit të guidave, edhe përfshirjes së pajisjeve sportive. Sipas saj, dalja me një koncept fantastik të produktit turistik është sfidë, por kjo është shpesh pjesa e lehtë e hartimit të itinerareve të aventurave.
“Shumë më sfiduese është vendosja e çmimit të duhur dhe krijimi i këtij itinerari me fitim. Ka një sërë kostosh që duhen llogaritur dhe kjo varet kryesisht nga lloji i pushimeve që një operator turistik ofron. Në bazë të të dhënave të Adventure Travel Trade Association (ATTA), Europa është tregu kryesor i burimit për kompanitë e turizmit aventurë, ndjekur nga Afrika (43%) dhe Azia (30%). Brenda vetë Europës, 60% e turistëve europianë janë angazhuar në udhëtime në aventurë.
Turizmi i aventurës kontribuon shumë në ekonomitë lokale: afërsisht dy të tretat e parave të shpenzuara për udhëtimet në aventurë qëndrojnë në vend. Kjo është mesatarisht 350 euro në ditë për vizitor. Sigurisht që në vendet në zhvillim si Shqipëria, kjo shifër është shumë më e ulët dhe shkon në 100-170 euro në ditë përfshirë transportin, akomodimin, vaktet, udhërrëfyesin turistik të certifikuar, siguracionin, pajisjet për aktivitetet në natyrë etj.” – thotë ajo.
Problematika
Turizmi i aventurës ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga dy faktorë, pasiguria nga pandemia dhe moti. Neritan Ibi, nga “My Albania Nature Explorers”, thotë se fillimi i këtij viti nuk ka qenë shumë i favorshëm sa u përket kushteve atmosferike, përveç hezitimit të shqiptarëve për COVID. Sipas tij, duke nisur nga marsi, kanë qenë muajt më të lagësht krahasuar me vitet e tjera.
“Kjo i ka penguar në kryerjen e itinerareve të paketave të menduara më parë dhe ka frenuar interesin e shqiptarëve. Një tjetër problem, sipas tij, është rritja e kostove për lajmërimet e paketave. “Ne punojmë shumë me rrjetet sociale, në Facebook dhe Instagram. Por, kemi vënë re se në Facebook ka rënë shumë shikueshmëria. Njoftimet bëhen nëpërmjet artikujve të sponsorizuar, për të cilët kemi kosto, që arrijnë deri në 300 dollarë në javë. Deri diku është e pashmangshme, sepse rritet aktiviteti, si dhe pagesat”, – thotë ai.
Neritani gjithashtu përmend rastet e skepticizmit nga virusi, që vijojnë të jetë aktuale. “Njerëzit duan shumë të udhëtojnë, sidomos të marrin nga përvoja që jep turizmi i aventurës. Por, një pjesë vijnë me makinat e tyre, që të shmangin mundësinë për infektim. Madje, fillimi i këtij viti ka qenë shumë dobët me rezervime, duke qenë se janar-shkurti vijoi një valë e re infektimesh” – thotë ai.
Sipas Blerinës, turizmi është duke vuajtur mungesën e të ardhurave dhe shitjeve, e cila ka sjellë një sërë problemesh si papunësi, pak likuiditet për operatorët turistikë, mungesë stafi të kualifikuar (duke qenë se pjesa më e madhe në mungesë punësimi në sektor, kërkuan dhe janë të angazhuar në sektorë të tjerë), mungesë e tregjeve turistike, frenim i zhvillimit të ofertës turistike, apo të investimeve në turizëm, mungesë edukimi të vazhdueshëm të burimeve njerëzore etj. “Mjedisi i biznesit vazhdon të përballet me pengesa të konsiderueshme strukturore për forcimin e konkurrencës dhe nxitjen e rritjes. Shtyllat e ekosistemit sipërmarrës të turizmit duhen mbështetur nga politika, financa, si dhe shoqatat e biznesit” – thotë znj. Ago.
Destinacionet e preferuara
Shqipëria ka një diversitet të lartë natyror brenda territorit të saj. Por, vetëm vitet e fundit vëmendja po orientohet përtej detit dhe kulinarisë dhe çdo ditë e më shumë po “zbulohet” Shqipëria tjetër.
Disa nga destinacionet e preferuara, që po kthehen në tendencën e momentit janë: Krahina e Kurveleshit; Ujëvara e Sotirës; Lumi i Shalës; Syri i Ciklopit (4 km poshtë Krrabës); Kanionet e Erzenit; Liqeni i Bovillës; Ura e Brarit (në hyrje të Shkallës së Tujanit ku ndodhet Kalaja e Tujanit); Shpella e Pëllumbasit; Bukuroshja e Fjetur (shpella pranë burimit të Drinit të Bardhë), Pasqyrat e Gramës (në malin e Gramës, në afërsi të fshatit Sllovë), Hiking në Lëpushë dhe Vermosh, Malësi e Madhe; Kajak në liqenet Ulëz-Shkopet, Mat; Eksplorim i shpellës së Pëllumbasit, Tiranë; Karvan me mushka drejt malit të shenjtë të Tomorrit, Berat; Riverhiking dhe eksplorim i Kanioneve të Osumit, Skrapar; Rafting në lumin e egër të Vjosës, Përmet; Fluturim dyshe në Llogora, Vlorë; Ecje drejt Krorëzit dhe snorkeling, Himarë.
KUJDES!
Turizmi i aventurës ka të bëjë me lidhjen me një kulturë ose një peizazh të ri dhe duke qenë fizikisht aktiv në të njëjtën kohë. Nuk ka të bëjë me rrezikun. Në fakt, është veçanërisht e rëndësishme të njihni dhe të respektoni kapacitetet tuaja, derisa jeni në një zonë të panjohur apo të paeksploruar më parë.
Dixhitalizimi
Turizmi i aventurës ka hapur mundësi të reja biznesi, pasi industria e udhëtimit nuk kufizohet vetëm në rezervimet e hoteleve ose fluturimit dhe agjentëve të udhëtimit. Turistët kanë rritur kërkesat, sikurse edhe operatorët turistikë janë shtuar në numër. Dixhitalizimi ka pasur ndikim të madh në turizmin e aventurës online. Sipas statistikave nga disa agjenci në Tiranë, pothuajse 90% e të gjitha rezervimeve të aktiviteteve të tilla janë duke u bërë nëpërmjet internetit, sidomos në rrjetet sociale, ku dhe japin konfirmime për pjesëmarrjen në një aktivitet të caktuar. Kjo shifër është në rritje krahasuar me dy vite më parë, ku rreth 40% e prenotimeve bëhej në zyrat e agjencive.
Pse turizmi i aventurës është e ardhmja e turizmit Post-COVID?
2020 ishte një vit që askush nuk do ta harrojë kurrë. Shumica e kuptuan se një virus submikroskopik mund të pushtonte të gjithë botën brenda disa javësh dhe se kufijtë mund të mbylleshin brenda ditësh. Dhe ndërsa javët e para të këtij viti të çuditshëm ishin relativisht të mira për turizmin botëror, udhëtimet ndërkombëtare shumë shpejt ranë me 72% në dhjetë muajt e 2020 (burimi: UNTWO), me destinacionet që mirëpresin 900 milionë turistë ndërkombëtarë më pak midis janarit dhe tetorit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Si pasojë, mijëra hotele, agjenci udhëtimesh dhe madje destinacione në të gjithë botën u detyruan të mbyllnin dyert. Por shpresa e një rimëkëmbje në turizëm po rritet pasi vaksinimi kundër COVID-19 më në fund u bë realitet. Agjentët e udhëtimeve dhe profesionistët e turizmit pohojnë se, udhëtimet e aventurës do të jenë ndër më të kërkuarit në vijim. Arsyet janë:
1. Nevoja për hapësira
Në fillim të pandemisë në mars 2020, rreth 20% e popullsisë globale ishte e bllokuar për shkak të koronavirusit. Studimet shpejt treguan se Toka po bëhej më e pastër, veçanërisht në zonat ku njerëzit po qëndronin në shtëpi (burimi: phys.org). Niveli i smogut u ul në New Delhi dhe disa puma u panë të endeshin nëpër rrugët e Santiago, në Kili. Dhe ndërsa ky ishte një pushim i mirëpritur për natyrën, shumica përjetoi një lloj etheje kabine. Flukse të mëdha vizitorësh pas bllokimit u panë në Parkun Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, një trend që shihet se do të vazhdojë në 2021 – dhe jo vetëm në ShBA.
Uria për hapësira të hapura të egra mund të shpjegohet me lajmet e këqija që na kanë bombarduar nëpërmjet televizionit dhe rrjeteve sociale. Kërkimi i heshtjes u bë përparësi. Dhe shumë prej nesh thjesht kanë mall për të qenë jashtë, vetëm për të djersitur në një shteg ose për të ndier shiun që bie në një shëtitje nëpër pyll. A thatë “Liri”? Po, liria lidhet ngushtë me shkretëtirën – dhe të gjithë kemi nevojë për të. Sidoqoftë, përparësia do të jetë mbrojtja e këtyre vendeve, duke shpresuar që përfitimet që sjell pandemia në natyrë të mos harrohen.
2. Rritja e udhëtimeve të qëndrueshme
Në raportin e tyre “Për rimëkëmbjen dhe përtej: E Ardhmja e udhëtimit dhe turizmit në zgjim të Covid-19”, World Travel & Tourism Concil (WTTC) dhe Oliver Wyman theksuan katër trende që do të formojnë turizmin e nesërm. Qëndrueshmëria është një prej tyre. “Nga lëvizjet e përhapura të papunësisë dhe anti-racizmit te mbrojtja e habitateve natyrore, bota është ndërgjegjësuar për të trajtuar qëndrueshmërinë sociale, mjedisore dhe institucionale” – thotë raporti i WTTC.
Në vazhdën e pandemisë, udhëtarët do të mendojnë më me kujdes për mënyrën e udhëtimit, ndërsa zgjedhin kompanitë që zvogëlojnë ndikimin e tyre në planet. A nuk është e vërtetë se fillimi i pandemisë COVID-19 lidhet ngushtë me mënyrën se si e trajtojmë planetin? Udhëtimet në aventurë janë pozicionuar mirë për këtë trend me itinerare me ndikim të ulët – që para pandemisë. Dhe qëndrueshmëria shkon përtej kujdesit për natyrën. Për shembull, Eco Camp Patagonia mbështet komunitetin lokal ndërsa punon me ta, i jep përparësi ushqimit organik dhe përdor energji të rinovueshme. Sot më shumë se kurrë, qëndrueshmëria ka rëndësi në mënyrë që të rindërtojmë turizmin dhe të shkojmë drejt udhëtimeve të ndërgjegjshme.
3. Grupet e vogla, përvojat e mëdha
Me më shumë se një vit distancim social, shumë prej nesh humbën ndërveprimet shoqërore. Na mungon të përqafojmë miqtë dhe njerëzit e familjes dhe të krijojmë miq të rinj. Por pandemia nuk ka mbaruar ende dhe shëndeti dhe higjiena do të mbeten përparësi për udhëtarët sipas raportit të WTTC. Kjo nuk do të thotë që udhëtarët nuk do të kërkojnë të bëjnë miq të rinj dhe të lidhen me njerëz nga e gjithë bota.
Post-pandemia ndoshta nuk do t’i japë fund turizmit masiv, por udhëtarët do të kërkojnë grupe më të vogla, në kërkim të sigurisë. Ne mund të presim që udhëtarët të kërkojnë një përvojë të shpejtë të udhëtimit, me një lidhje më të thellë si me natyrën, ashtu edhe me njerëzit me të cilët udhëtojnë. A nuk është ky qëllimi i udhëtimit të aventurës?
4. Pushimet aktive
Distancimi social dhe puna nga shtëpia janë ndoshta mënyra të mira për të parandaluar transmetimin e COVID-19 megjithatë, ky stil jetese i ri mund të çojë në një sjellje jo të shëndetshme. Kjo mënyrë jetese e qëndrimit ulur, rrit obezitetin dhe sëmundjet e lidhura me të, siç është diabeti. Dhe ndërsa është e rëndësishme të ushtroheni në shtëpi, ajo nuk mund ta zëvendësojë kurrë faktin e të qenët jashtë.
Për këtë arsye, shumë udhëtarë do të kërkojnë pushime aktive. Pushimet aktive në natyrë i bëjnë mirë gjithashtu mendjes. Siç thotë Shkolla e Mjedisit në Yale, “natyra është domosdoshmëri për shëndetin fizik dhe funksionin njohës”. Natyra është një ilaç për stresin – dhe të jesh aktiv në natyrë mund të jetë antidoti më i mirë për ankthin COVID-19.
Marrë nga Monitor.al