Pasi u godit nga pandemia e Covid-19 për dy vjet, sektori i turizmit po shfaq shenja rimëkëmbjeje në shumë pjesë të botës, me Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Spanjën, Francën dhe Gjermaninë që kryesojnë listën.
Shqipëria renditet në vendin e 72-të në Indeksin Global të Zhvillimit të Udhëtimeve dhe Turizmit, nga e 71-ta në 2019, me një vlerësim prej 3.8 pikësh.
Forumi Ekonomik Botëror publikoi të martën Indeksin e Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit 2021: Rindërtimi për një të ardhme të qëndrueshme dhe elastike, i cili radhiti 117 ekonomi në një sërë faktorësh që janë thelbësorë për zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe elasticitetin e industrisë së udhëtimit dhe turizmit të tyre, e cila nga ana tjetër kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe social.
“Mbylljet e Covid-19 kanë ritheksuar kontributin e rëndësishëm të udhëtimit dhe turizmit për shumë ekonomi në mbarë botën”, tha Lauren Uppink, Shef i Aviacionit, Udhëtimit dhe Turizmit në Forumin Ekonomik Botëror.
“Ndërsa bota del nga pandemia, ekonomitë duhet të investojnë në ndërtimin e një mjedisi të fortë dhe elastik për të ofruar eksperiencën dhe shërbimet e udhëtimit dhe turizmit për shumë dekada në vijim,” shtoi Uppink.
Ndërsa turizmi i përgjithshëm ndërkombëtar dhe udhëtimet e biznesit janë ende nën nivelet para pandemisë, rimëkëmbja e sektorit është përforcuar nga normat më të larta të vaksinimit, hapja e udhëtimeve dhe kërkesa në rritje për turizmin vendas, kryesisht me fokus natyrën.
Shumë biznese dhe destinacione i janë përshtatur këtyre dinamikave të ndryshimit të kërkesës.
Sipas vlerësimeve, diferenca në ardhjet ndërkombëtare të turistëve midis janarit 2021 dhe janarit 2022 është më e madhe se rritja në total e numrit të turistëve në të gjithë vitin 2021.
Përveç Shteteve të Bashkuara, 10 ekonomitë që kryesojnë listën janë ekonomi me të ardhura të larta në Europë dhe në rajonin e Azi-Paqësorit.
Indeksi i Zhvillimit të Udhëtimit dhe Turizmit 2021 është një zhvillim i drejtpërdrejtë i Indeksit të Konkurrueshmërisë së Udhëtimit dhe Turizmit, i cili është botuar çdo dy vjet për 15 vitet e fundit, tha WEF.
Marrë nga Monitor.al