ELBASAN-Shqipëria U21 rezistoi vetëm një pjesë ndaj Anglisë U21 në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë e Alban Bushit u mposhtën 0-3 nga bashkëmoshatarët anglezë, në sfidën e grupit G të fazës eliminatore të Euro 2023. Ekipi i drejtuar nga Alban Bushi kishte hyrë në fushën e lojës me ide të qarta për të evituar një goleadë dhe ishte fokusuar i tëri në mbrojtje.
Një pjesë e parë që përfundoi pa gola, ndërsa në fraksionin e dytë, Folarin Balogun zhbllokoi takimin në minutën e 47′. Goli prishi planet e Shqipërisë U21. Katër minuta më vonë erdhi gafa e Jurgen Çelhakës. Curtis Jones, talenti i Liverpoolit, përfitoi dhe nuk gaboi përballë Simonit. Skuadra mike nuk u ndal dhe trefishoi pas një ore lojë. Tjetër asist i Morgan Gibbs-ëhite dhe goli i dytë personal për Folarin Balogun.
Minutat e mbetura sollën vetëm dëmtimin e Simonit, i cili u largua me barelë nga fusha. Suksesi i sotëm e ka ngjitur Anglinë në kuotën e 16 pikëve, tre më pak se Çekia kryesuese, që ka luajtur dy ndeshje më shumë, ndërsa kuqezinjtë mbetën në vend të katërt me 9 pikë.