Pasiguritë e shtuara për shkak të pandemisë Covid-19 kanë bërë që shqiptarët të shtojnë kursimet. Ky konstatim vjen pas publikimit të të dhënave nga Banka e Shqipërisë pasi depozitat kanë shënuar rritje edhe gjatë muajit tetor. Të dhënat tregojnë se totali i depozitave arriti në 1.08 trilionë lekë apo 8.7 miliardë euro deri në fund të muajit të kaluar, nga 8.1 miliardë euro që ishte për të njëjtën periudhë një vit më parë.
Kjo rritje e ndjeshme e depozitave vjen në një moment kur vendi prej gati 10 muajsh po përballet me një krizë ekonomike për shkak të koronavirusit. Në kushte të tilla, pikëpyetjet mbi vazhdimësinë e pandemisë kanë bërë që qytetarët dhe bizneset të kursejnë gjatë kësaj periudhe. Kursimet në lekë janë zgjeruar ndjeshëm duke arritur në 497.5 miliardë lekë si rrjedhojë e depozitave pa afat kryesisht te individët, çka sinjalizon se qytetarët po priren të shpenzojnë gjithnjë e më pak e po zgjedhin “të kyçin” paratë e tyre në banka.