Ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, deklaroi të premten në Novi Sad se dozat e para të vaksinës së kompanisë Pfizer kundër koronavirusit, do të arrijnë në Serbi të hënën ose të martën (21 ose 22 dhjetor), ku dërgesa e parë do të jetë prej më pak se 5,000 doza. Ai shtoi se vaksinat do të shpërndahen në shtëpitë e të moshuarve.
Llonçar deklaroi se licenca për importin e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech është lëshuar më 17 dhjetor nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore dhe se dozat e ardhshme do të mbërrijnë, siç janë premtuar, deri në fund të vitit.
Sipas tij, Serbia është ndër vendet e para që do të marrë vaksinën sepse ishte një nga pesë shtetet e para në botë që nënshkroi një kontratë me Pfizer. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 15 dhjetor se Serbia kishte porositur 340,000 doza të vaksinës nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech dhe se vaksina ruse Sputnik V po testohet, shkruan Radio Europa e Lirë.
Vaksinimi ka nisur në SHBA, Meksikë, Britani e Madhe dhe Kanada, ndërsa në BE nis në 27 dhjetor. Ndërsa Ballkanin Perëndimor nuk ka asnjë datë se kur do të nisë vaksinimi, apo se kur do të vijnë dozat e para.