Nga vlerësimet empirike konfirmohet ekzistenca e një korrelacioni midis pasigurisë së situatës së pandemisë dhe rritjes së depozitave të kursimeve.
Një ndër pasojat kryesore globale të pandemisë vazhdon të jetë pasiguria në ekonomi, e reflektuar nga ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve dhe bizneseve, kryesisht në rritjen e prirjes për të kursyer kundrejt prirjes për të konsumuar apo për të investuar.
Një dukuri e tillë konfirmohet edhe nga statistikat e Bankës Qendrore Europiane, duke krahasuar nivelin e depozitave të vitit 2020 me ato të vitit paraardhës, madje duke e cilësuar këtë prirje për të kursyer “në nivele të paprecedenta, si përgjigje ndaj COVID-19” (European Cental Bank, 2020). Kjo rritje e prirjes për të kursyer lidhet kryesisht me dy faktorë: kursimi i pavullnetshëm dhe kursimet parandaluese (termi origjinal: precautianory savings).
Dukuria e kursimit të pavullnetshëm ka ardhur për shkak të ndryshimit të stilit të jetesës dhe konsumit si pasojë e masave shtrënguese, apo karantinës, ndërsa kursimet parandaluese janë kursimet që vijnë si pasojë e rritjes së pasigurisë në ekonomi, rritjes së papunësisë, dhe frikës që individët kanë për sigurimin e të ardhurave në të ardhmen apo ruajtjen/rifitimin e vendit të tyre të punës.
Duke qenë se rritja e prirjes për të kursyer është një dukuri që shoqëron përgjithësisht sjelljen e konsumatorëve gjatë krizave, është me interes që të analizohet se si reflektohet kjo dukuri në ekonominë shqiptare, dhe sa ndikim ka pasiguria e situatës së pandemisë në këtë sjellje të konsumatorëve.
Situata e depozitave të kursimeve në Shqipëri
Niveli i depozitave të parasë së gjerë për vitin 2020 ka shënuar rritje të konsiderueshme në krahasim me vitin paraardhës. Në depozitat e parasë së gjerë përfshihen depozitat e transferueshme, depozitat me likuidet të lartë dhe depozita të tjera nga: qeveria lokale dhe administrata publike, korporata jofinanciare publike, korporata të tjera financiare, korporata të tjera jofinanciare dhe sektorë të tjerë rezidentë.
Në Grafikun 1. paraqitet totali i depozitave të parasë së gjerë për vitet 2019 dhe 2020, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Për vitin 2020, të dhënat e përditësuara janë deri në muajin nëntor.
Por, në muajin mars, që korrespondon edhe me pandeminë dhe masat shtrënguese në vend, vërehet një rritje e menjëhershme e depozitave të parasë së gjerë nga 1,041,844 milionë lekë, në 1,071,848 milionë lekë. Rritja e menjëhershme lidhet edhe me forcimin e përkohshëm të euros (depozitat raportohen në lekë).
Më pas, në prill, depozitat e parasë së gjerë bien në norma të ngjashme me ato të muajit shkurt dhe ndjekin një trend rritës, i cili është më i theksuar pas muajve të verës. Sërish, kjo mund të lidhet me rritjen e pasigurisë së situatës së pandemisë, e reflektuar edhe në rritjen e rasteve të reja ditore dhe numrit të vdekjeve në muajt e vjeshtës.
Në Grafikun 2., paraqiten vlerat e depozitave me likuiditet të lartë (pa afat) për vitet 2019 dhe 2020 (deri në muajin nëntor, të shprehura në milion lekë). Sikurse vërehet nga grafiku, ekziston një rritje e përgjithshme dhe e qëndrueshme e depozitave me likuiditet të lartë krahasuar me vitin 2019. Në muajin mars të vitit 2020, këto depozita pësuan rënie të lehtë nga 44,266 milionë lekë, në 43,738 milionë lekë, gjë e cila nuk korrespondon me rritjen e menjëhershme të depozitave të parasë së gjerë në po të njëjtën periudhë.
Më pas, vërehet një rritje graduale e këtyre depozitave, e cila lidhet edhe me preferencën për ruajtjen e kursimeve në forma me likuiditet të lartë, duke marrë parasysh edhe vazhdimin e pasigurisë së situatës me pandeminë.
Ndikimi i pasigurisë në nivelet e kursimeve
Për të vlerësuar në mënyrë empirike ndikimin e pasigurisë së krijuar nga situata e pandemisë në nivelin e përgjithshëm të kursimeve, kam përdorur tre variabla, si një mënyrë për të matur perceptimin mbi pasigurinë: numrin e rasteve të reja ditore të konfirmuara me COVID-19, numrin e vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19, si dhe një variabël binar që tregon praninë ose jo të masave shtrënguese, për të mbajtur nën kontroll pandeminë (karantina). Për të kryer këtë vlerësim kam përdorur të dhënat që i korrespondojnë periudhës shkurt-nëntor 2020.
Të dhënat, që lidhen me nivelin e depozitave të parasë së gjerë dhe depozitave pa afat, janë në nivel mujor, ndërsa të dhënat që u korrespondojnë variablave që masin pasigurinë janë në nivel ditor. Duke qenë se të dhënat që i korrespondojnë variablit të varur (depozitat) janë të censuruara (pra janë në nivel mujor dhe jo ditor), kam përdorur modelin Tobit për vlerësimin e regresionit.
Formalisht modeli paraqitet si më poshtë:
Ky është një tregues se pasiguria e vazhdueshme e situatës së pandemisë shoqërohet me rritje të kursimeve në total, por edhe me rritje të kursimeve në formë më likuide. Për sa i përket variablit tjetër që është përdorur për të matur pasigurinë, numrit të vdekjeve ditore nga COVID-19, ekziston një lidhje pozitive e këtij treguesi me depozitat totale, si dhe me depozitat pa afat. Rritja e numrit të vdekjeve me 1 rast ditor shoqërohet me rritje të depozitave totale me 974.2 lekë, si dhe me rritje të depozitave pa afat me 84.2 lekë./ Monitor.al
Te dhenat