BRAZIL– Mediat braziliane kanë ndërtuar skemën 3D të ekzekutimit të shqiptarit Ilir Zelka, ngjarje e ndodhur mëngjesin e ditës së kaluar. Siç shihet edhe në kronikën e mëposhtme, sipas skemës së ndërtuar nga mediat vendase në San Paolo, një person me motor, me kokore në kokë, afrohet pranë lokalit, ku ishte Zelka.
Sapo sheh 47-vjeçarin e ulur në karrige, ai nxjerr armën dhe qëllon katër herë në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur. Më pas, braktis motorin dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Kamerat e sigurisë kanë filmuar gjithçka, por për shkak të kokores që autori kishte në kokë, do të jetë shumë e vështirë që të identifikohet.
Lagjia ku u vra shqiptari, është një nga më të pasurat në qytet. Për më shumë se dy javësh, ai ishte akomoduar në një hotel luksoz në atë lagje. Administratorja e lokalit ku u vra Zelka, sipas gazetares Giovanna Risardo ka rrëfyer se viktima në të njëjtën orë, çdo ditë pinte kafenë e mëngjesit.
Por këtë herë, ishte e fundit për të. Shqiptari Ilir Zelka ka qenë pronar i një biznesi në Çeki, por edhe pse që prej datës 9 mars kishte hequr dorë si ortak, kompania mban ende emrin e tij. Kjo ngjarje është e mbuluar me mister. Viktima nuk është i njohur në fushën e krimit, ose të paktën deri më tani, ende nuk është zbardhur diçka e ‘errët’ për të shkuarën e tij.