Numri i kontratave të sigurimit të jetës së huamarrësve u rrit ndjeshëm vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), për 11 mujorin 2021, kompanitë e sigurimit të jetës lidhën më shumë se 66 mijë kontrata të sigurimit të jetës së debitorit. Numri i kontratave të sigurimit për këtë produkt është rritur me pothuajse 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Produkti i jetës së debitorit është i lidhur pothuajse tërësisht me ecurinë e kredisë bankare. Bankat kërkojnë sigurim jete për kontratat e kredisë bankare afatgjata dhe në shuma të mëdha.
Zakonisht, këto kontrata sigurimi kërkohen në kreditë me qëllim blerjen e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, ka banka të veçanta që mund të kërkojnë sigurim jete edhe për kreditë konsumatore, për shuma apo maturitete të caktuara. Sigurimi i jetës rinovohet çdo vit, për të gjithë kohëzgjatjen e kredisë. Numri i kontratave të sigurimit të jetës jep edhe një ide të përafërt për numrin e kontratave të kredisë hipotekare të lidhura nga sektori bankar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët në fund të nëntorit 2021 arriti në 144 miliardë lekë ose gati 1.2 miliardë euro. Në një vit, ky portofol është rritur me 14%. Sipas vrojtimeve me firmat e ndërtimit dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme, afërsisht gjysma e shitjeve në tregun e pronave financohen me kredi bankare.
Sigurimi i jetës së debitorit është në fakt kolona kryesore ku mbahet tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri. Aktualisht, ai siguron rreth 71% të numrit të përgjithshëm të kontratave dhe të volumit total të primeve. Për 11 muajt e vitit 2021, primet e shkruara bruto nga kontratat e sigurimit të jetës së debitorit arritën në 880 milionë lekë ose 7.2 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, primet e shkruara bruto janë rritur me 29.5%. Rritja e primeve me ritme më të larta krahasuar me numrin e kontratave është një tregues se shumat e mbuluara nga këto kontrata janë në rritje. Indirekt, kjo tregon se shumat mesatare të kredive për blerjen e pronave po rriten. Rritja e ndjeshme e çmimeve të pasurive të paluajtshme po bën që edhe shumat e kredive bankare për blerjen e tyre të jenë më të larta.
Për 11 muajit e vitit të kaluar, tregu i sigurimit të jetës arriti një volum të primeve të shkruara bruto prej 1.24 miliardë lekësh, në rritje me 24% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja e tregut të jetës është ndjeshëm më e lartë se rritja e sigurimeve të jo-jetës, që për të njëjtën periudhë shënoi një rritje me më pak se 17%. Shtysa kryesore në rritjen e tregut të sigurimit të jetës ka qenë pikërisht produkti i sigurimit të jetës së debitorit./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al