Kompanitë e sigurimeve paguan afërsisht 6.7 miliardë lekë ose 55 milionë euro dëme vitin e kaluar.
Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera e dëmeve të paguara nga siguruesit shqiptarë pësoi një rënie me 11.1% krahasuar me vitin 2020. Tërmeti i fundit të vitit 2019 shkaktoi një rritje të ndjeshme të dëmeve në sigurimeve për vitin 2020 dhe kjo e shpjegon kryesisht vlerën më të madhe të dëmeve krahasuar me periudhat që nuk janë ndikuar nga ngjarjet e jashtëzakonshme. Po të krahasojmë dëmet e paguar gjatë vitit të kaluar me vitin 2019, ato rezultojnë në rritje me 4.4%.
Efekti i përkohshëm i tërmetit bëri që rënia e dëmeve për vitin e kaluar të jetë e përqendruar kryesisht në tregun e jo-jetës, me 11.8% më pak. Përkundrazi, në tregun e sigurimit të jetës dëmet pësuan një rritje të ndjeshme, me 31.7% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ky treg i ndjeu më së shumti efektet e rritjes së numrit të vdekjeve për shkak të pandemisë gjatë vitit të kaluar.
Në segmentin më të madh të tregut të sigurimeve, atë të jo-jetës, rënia erdhi kryesisht nga produkti i sigurimit të pronës nga katastrofat, ku dëmet pësuan një rënie me më shumë se 69% krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2020 që pasoi tërmetin, kompanitë e sigurimit kishin paguar 2.9 miliardë lekë dëme bruto, të lidhura kryesisht me këtë ngjarje. Kjo shumë përbënte mbi 42% të dëmeve totale vjetore në sigurime. Për vitin 2021, dëme në këtë klasë ranë pranë niveleve të zakonshme historike, me më pak se 15% të totalit të dëmeve.
Kthimi në normalitet bëri që struktura e dëmeve vitin e kaluar të dominohej sërish nga sigurimet e detyrueshme motorike, për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Dëmet në këto klasa u rritën me 20.3% krahasuar me vitin 2020. Pesha e tyre në strukturën e dëmeve të paguara bruto arriti në 53.5%, nga 39.2% që kishte qenë një vit më parë. Vitin e kaluar, aksidentet rrugore në Shqipëri u rritën me 11.5% dhe kjo rritje është reflektuar edhe në shtimin e dëmeve të paguara nga siguruesit. Nëse dëmet në sigurimin e katastrofave u ndikuan në rritje gjatë vitit 2020, e kundërta ndodhi me dëmet nga aksidentet. Mbyllja e ekonomisë në tremujorin e dytë të vitit 2020 dhe kufizimi i ndjeshëm i lëvizjeve ndërkufitare edhe më tej gjatë vitit bëri që aksidentet të reduktoheshin përkohësisht. Rritje e dëmeve u shënua edhe në sigurimin vullnetar KASKO të mjeteve tokësore, me 20% më shumë krahasuar me vitin 2020.
Rritje e dëmeve të paguara gjatë vitit të kaluar u shënua edhe në shumicën e klasave të sigurimeve vullnetare. Dëmet në produktin e sigurimit të sëmundjeve u rritën me 22.4%. Duket se Covid-19 dhe pasojat që la në shëndetin e njerëzve kanë ndikuar në shtimin e dëmeve nga sigurimet e shëndetit.
Burimi: AMF
Marrë nga Monitor.al