TIRANË– Skandali i D. H. Albania që paraqiti dokumenta të falsifikuar në tenderin për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Madhe, në zonën e Astirit, nuk shërbeu dot për të dënuar fajtorët, por e sigurtë është që shërbeu për të frymëzuar mashtrimet. Rreth 20 milionë eurot në një dorë të kompanisë që falsifikoi dokumentet amerikane, mund të bëhen edhe të shtrira në kohë, siç ka zgjedhur ta bëjë ALKO – IMPEX, kompania e nipit të deputetit socialist, Sadri Abazit, Arbër Abazi. Madje pa shkuar deri në SHBA për regjistrim dhe më pas falsifikim date. ALKO-IMPEX e bën këtë me një xhiro në Prishtinë, po ndoshta edhe pa asnjë lëvizje nga vendi.
Kështu ka fituar dhjetra tendera për pastrimet e qyteteve në gjithë këto vite. Dosja.al po u vjen në ndihmë Bashkive që nuk kanë mundur të zbulojnë vetë falsifikimet për të parë nëse vërtet nuk kanë qenë në dijeni.
Fillojmë me një tender spektakolar të fituar në Bashkinë e Kavajës në vitin 2016. Në 15 shkurt ishte afati i fundit i paraqitjes së ofertave, në 23 mars u shpall fituese kompania ALKO-IMPEKS General Contruction sh.p.k.. Fondi Limit ishte 147,519,416 milionë lekë, kompania e fitoi me vlerën 139,746,161 leke pa tvsh, ose rreth 1.1 milionë euro. Deri këtu duket gjithçka në rregull, por nëse hapen Dokumentat Standarte të Tenderit, zbulimet janë mbresëlënëse.
Në pikën 1 është kërkuar që kompania të ketë bërë shërbime të ngjashme me një vlerë mesatare 59,007,700 lekë pa tvsh, pra të paktën në gjysmën e vlerës së tenderit të fitoi. Problemi ishte se Alko Impex nuk e kishte këtë. Zgjidhja ishte në Prishtinë. Kompania paraqet në punë të ngjashme në Lagjen Bregu i Diellit të Kryeqytetit të Kosovës për shërbime të kryera nga 15 prilli i 2013 deri në 12 prill 2015, sipas kompanisë.
Po sipas të dhënave të paraqitura nga kompania, vlera ka qenë 14. 596 euro në javë ose 59.824 euro në muaj. Nëse këto shifra do të ishin të sakta, do përmbushej kriteri i kërkuar në pikën 1, por Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në Kosovë, i ka publikuar online të dhënat e vërteta.
Mund ta verifikonte edhe Bashkia e Kavajës po të hapte portalin e KRPP Kosovë, që vlera javore nuk ka qenë rreth 14.600 euro në javë por vetëm 4.600, pra kompania ka falsifikuar me 10 mijë euro në javë, ose 40 mijë euro në muaj. Si rrjedhim me 2 të tretat e gjithë kontartës, pra me rreth 330 mijë euro në total. Kaq është diferenca e punëve që duhet të kishte kryer ALKO- IMPEKS përpara se të hynte në tender.
Pra, Kompania duhet të kishte realizuar më parë kontrata me vlerë rreth 500 mijë euro, në fakt ka realizuar vetëm 1 të tretën, rreth 170 mijë, 330 mijë të tjerat, i ka shtuar duke mashtruar sistemin pa filtra të tenderit. Me këtë falsifikim, ka siguruar një kontratë 1.1 milionë euro.
Po nuk është ky falsifikimi i vetëm. Në pikën 2/c të Dokumentave Standarte të Tenderit kërkohej që operatori ekonomik të kishte në staf të paktën 1 inxhinier kimie me përvojë punë 5 – vjecare.
Kompania nuk e kishte, por këtë e zgjidhi akoma më thjesht se të parën; paraqiti si inxhinier kimie një punonjës të vetin me shtetësinë e Kosovës. Naim Pllana u bë kështu jo vetëm me diplomë inxhinierike në kimi por edhe me një përvojë më të gjatë se 5 vjet. Madje e ka mbaruar universitetin në Mitrovicë në 1 qershor 2000 (datë e parakohshme për marrjen e diplomës që në përgjithësi caktohet në korrik). Po nuk është problemi tek 1 qershori si festë e fëmijëve. Festën e prish Universiteti i Prishtinës, i cili sqaron: “Në arkivin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore nuk figuron kurrfarë dosje me emrin Naim Beqir Pllana. Fakulteti nuk ka patur degë të kimisë në Mitrovicë dhe asnjëherë nuk e ka patur dekan prof.dr. Shefqet Rashanin. Po ashtu në periudhën e shënuar në diplomë si datë e fillimit të studimeve, Fakulteti nuk ka patur program shenuar në diplomë Inxhinier i dipl. i Kimisë. Diploma të cilën kandidati e ka prezantuar, mund të jetë falsifikuar nga kandidati apo dikush tjetër, të cilën gje ta dij më së miri ai vet”.
Ky informacion serioz i Fakultetit, që diskretiton falsikimin flagrant, tregon se kompania, as ka marrë mundimin ta kamuflojë mashtrimin. Nuk ka pyetur as për degën në Mitrovicë, as për emrin e dekanit, as për lëndën e diplomimit në vitin e caktuar. Nuk ka marrë as mundimin të shkojë deri në Kosovë, as duke lundruar në internet. Është tallur keq me ligjin shqiptar dhe ka përfituar kështu më shumë se 1 milion euro vetëm nga 1 bashki. Për tenderat e tjerë do të shkruajmë në vazhdim./Dosja.al