Parimi i kësaj dite që njihet si e premte e zezë është ‘të bësh pazar, derisa të mos kesh më fuqi!’ Është dita kur turmat e blerësve ‘çmenden’ dhe pushtojnë qendrat tregtare për orë të tëra derisa të arrijnë të marrin atë që duan.
Dita e pazareve, më e famshmja në botë, vjen pas Ditës së Falënderimeve dhe përfaqëson hapjen zyrtare të sezonit të blerjeve për Krishtlindje. E premtja e zezë do të thotë ulje drastike e çmimit të produkteve; radhë të stërgjata njerëzish, që presin për orë të tëra para dyerve të dyqaneve; dhe konsum deri në ekstrem.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia qëndrojnë në krye të toplistës, ku shpenzimet kapin shifra marramendëse, që arrijnë në miliona dollarë dhe paund. Kjo ditë konsiderohet si një strategji e menduar mirë nga kompanitë tregtare për të rritur shitjet në periudhën e fundvitit.
Dekada më parë, e “premtja e zezë” niste rreth orës 6 të mëngjesit, por në vitet 2000, kur vërshimi i turmës së blerësve nisi të bëhej gjithmonë e më i pakontrollueshëm, qendrat tregtare dhe dyqanet vendosën të hapnin dyert më herët. Viti 2011 shënon kulmin e blerjeve gjatë kësaj dite dhe, që nga ajo kohë, dyqanet hapen që në mesnatë për konsumatorët. Por, si u vendos ky emër ditës së pazareve më të famshme në botë?
Origjina vjen nga Filadelfia, ku etiketimi “e premte e zezë” përshkruante ngarkesën e madhe të trafikut pas Ditës së Falënderimeve. Më vonë, kjo nisi të marrë një tjetër kuptim, atë të shitësve përfitues, të cilët në mënyrë figurative simbolizonin të zezën.