Ndonëse taksat këtë vit nuk kanë shënuar rritje, barra fiskale për një pjesë të të punësuarve në vend është më e lartë. Kjo për tre arsye:
-Së pari, nga rritja e pagës minimale me 15%, nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.
-Së dyti, nga rritja e pagës maksimale nga 114.7 mijë lekë, që është sot, në rreth 132 mijë lekë.
-Së treti, këtë vit ka filluar efekti i një ndryshimi ligjor në tatimin mbi të ardhurat, të hyrë në fuqi në janar 2020, sipas të cilit të gjithë ata që kanë dy apo më shumë punë do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020, deri më 30 prill 2021, pavarësisht nivelit të pagave që kanë pasur. Këto ndryshime parashikojnë që paga, ndonëse është marrë në dy apo më shumë vende pune, do të llogaritet si një e vetme dhe do të tatohet si e tillë dhe individi do të jetë i detyruar që të paguajë diferencën shtesë që del nga rillogaritja.
Këto ndryshime indirekt pritet të rrisin detyrimin që duhet të paguajnë të punësuarit, që në total vlerësohet rreth 60 milionë euro, sipas përllogaritjeve të Monitor, e ndarë si më poshtë.
Nga paga minimiale e maksimale do paguhen 37 mln euro më shumë
Si rritja e pagës minimale, ashtu dhe ajo maksimale, do të sjellin shtim të taksave që do të duhet të paguajnë të punësuarit në vend.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, me pagë minimale paguhen rreth 180 mijë të punësuar në vend, ose rreth 27% e totalit të të punësuarve kontribuues në vend.
Për këta punonjës, pagesa e sigurimeve do të rritet me rreth 1,100 lekë në muaj, (13.3 mijë lekë në vit).
Ministria e Financave ka llogaritur në projektbuxhetin 2021 se efekti i rritjes së pagës minimale në buxhet do të jetë rreth 3 miliardë lekë, ose rreth 24 milionë euro, një pjesë e të cilave paguhet nga të punësuarit dhe një pjesë nga punëdhënësit.
Rritja e pagës maksimale prek më pak të punësuar. Në total, ka 660 mijë të punësuar me kontribute në vend, nga të cilët rreth 74% janë të sektorin privat jo bujqësor. Nga totali i të punësuarve, rreth 30 mijë persona (ose 4.5% e totalit) marrin paga mbi 120 mijë lekë. Për këta persona do të paguhet (nga punëdhënësi dhe punëmarrësi) maksimumi 4,500 lekë më shumë çdo muaj (54 mijë lekë ne vit) ose në total 1.2-1.6 miliardë lekë më shumë (rreth 10-13 milionë euro) për vitin 2021.
Si rrjedhojë, nga rritja e pagës minimale dhe maksimale në 2021, punëdhënësit dhe punëmarrësit do të paguajnë në total rreth 37 milionë euro më shumë taksa mbi pagën, sipas përllogaritjeve të Monitor.
Të paktën 25 milionë euro më shumë nga të dypunësuarit
Rillogaritja e pagave për të dy punësuarit, si një e vetme, do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e dy pagave i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do të tatohen për diferencën me 23% (duke zbritur tatimin e paguar gjatë vitit).
Shuma minimale që duhet të paguajë një i dypunësuar që ka punuar 12 muaj në dy punë dhe është paguar me pagë minimale prej 26 mijë lekësh është 2,860 lekë në muaj, ose 34320 lekë në vit, ose 280 euro {individi i dypunësuar, i cili ka pasur p.sh., dy paga minimale nga 26 mijë lekë secila do të paguajë minimumi edhe 13% të diferencës prej 22 mijë lekë, (52 mijë lekë-30 mijë lekë)}.
Për të 88.6 mijë të dy apo më shumë punësuarit, shuma shtesë që duhet të derdhet në buxhet (duke llogaritur një pagesë minimale prej 280 eurosh) mund të arrijë në rreth 25 milionë euro.
Për bizneset, barra fiskale ulet, të paktën 30 mln euro më pak
Ndryshe nga të punësuarit, pjesa më e madhe e të cilëve duhet të paguajnë më shumë taksa këtë vit, barra fiskale për bizneset është ulur ndjeshëm këtë vit.
Nga 1 janari, bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë kanë tatim fitimi zero, sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Më parë, bizneset me qarkullim vjetor nga 0 në 5 milionë lekë kanë paguar zero tatimfitim, ndërsa bizneset nga 5 në 14 milionë lekë kanë tatim të thjeshtuar prej 5%.
Nga 1 janari 2021, pragu i regjistrimit në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) është rritur në 10 milionë lekë, nga 2 milionë lekë që ishte deri tani.
Nga të dy këto masa, Sipas të dhënave të mëparshme nga Tatimet, në total në vitin 2019, bizneset që preken nga dy ndryshimet kryesore, rritja e pragut të TVSH-së dhe heqja e tatim fitimi për subjektet me qarkullim deri në 14 milionë lekë kanë paguar 4.3 miliardë lekë tatimfitimi dhe TVSH (78% e kësaj shume i përket TVSH-së së paguar), ose 34 milionë euro.
Marrë nga Monitor.al