TIRANË– Pandemia e COVID-19, risolli qysh në muajin mars 2020 në vëmendje të shtypit botëror, faktin se përtej fatkeqësisë së përbashkët, të pasurit do të mund ta kalonin më lehtë sëmundjen.
Testimi në kohë dhe mjekimi në kohë, duke patur në gjendje “paratë”, ua lehtësoi situatën edhe qytetarëve të pasur të Shqipërisë. Vendet e zgjedhura për kurim sigurisht që nuk ishin spitalet COVID 1 apo 2, por qendra të hospitalizuara në Austri, e Turqi.
Dosja.al u interesua pranë Aeroportit të Tiranës, (TIA), në lidhje me numrin zyrtar të çarterave spitalorë që janë ngritur në fluturim nga toka shqiptare që prej nisjes së pandemisë. Numri i tyre nuk është i vogël.
Nga muaji mars 2020 e deri më sot, nga Shqipëria janë nisur 270 çartera spitalorë drejt të gjitha vendeve të Evropës, ku siç bëjnë me dije burimet, vendi më i vizituar është Turqia.
Shqiptarët me një standart më të lartë jetese dhe në frikën e përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore janë nisur në Turqi, nga ku shumë prej tyre janë kthyer optimistë. Vetëm nga Aeroporti i Tiranës janë nisur 270 çartera mjekësorë, pa llogaritur linjat e tjera, që mund të jenë përdorur për kurim në vendet e Evropës, në një mesatare që shkon në një pacient në ditë që shkon për trajtim mjekësor jashtë vendit.