7.5 miliardë lekë ka harxhuar shteti shqiptar që nga fillimi i pandemisë e deri në maj të vitit 2021, vetëm për tenderat në fushën e shëndetësisë për luftën ndaj Covidit si edhe për kontratat për sigurimin e vaksinave anti-covid. Institucionet shtetërore prej marsit 2020 dhe në vijim përgjatë 14 muajve rezulton se prokuruan 214 tendera. Prej tyre janë finalizuar dhe përmbyllur 193 tendera që kanë një vlerë prej 4.4 miliard lekësh. Kurse shpenzimet për vaksina shkojnë në 3.1 miliardë lekë, referuar asaj që është bërë publike nga qeveria shqiptare.
Në pjesën dërrmuese kuptohet se institucionet kanë patur më së tepërmi nevojë për pajisje që lidhen drejtpërdrejtë me pandeminë jo vetëm nga fusha e mjekësisë të tilla si vaksinat, oksigjeni, por edhe mjete mbrojtëse, teste/tampon, aparatura të ndryshme dhe barna dhe dezinfektues. Së paku këtë trend e tregon natyra e tenderave të prokuruar.
Spitalet e pandemisë
Nga këto tendera, institucionet shëndetësore që kanë prokuruar më shumë tendera gjatë pandemisë janë Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, Ministria e Shëndetësisë, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Drejtoria e Spitalit Rajonal Lezhë, Instituti i Shëndetit Publik, Spitali Rajonal i Durrësit etj.
Përkatësisht SU “Shefqet Ndroqi”, i kthyer gjatë pandemisë në një spital anticovid ka prokuruar 76 tendera. Ministria e Shëndetësisë, 29 tendera, QSUT ka zhvilluar 16 tendera, Drejtoria e Spitalit Rajonal të Lezhës 13 tendera, ISHP-ja 10 tendera dhe Spitali Rajonal i Durrësit ka prokuruar 6 tendera.
Edhe pse ka prokuruar vetëm 29 tendera, shifra totale e tenderave të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë kap vlerën e 1.38 miliardë lekë, për tu ndjekur më pas nga QSUT që ka zhvilluar vetëm 16 tendera. Megjithatë totali i këtyre tenderave shkon pothuajse sa Ministria e Shëndetësië, pra 1.38 miliardë lekë, ndërsa në vendin e tretë për shpenzime qëndron Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, që ka shpenzuar rreth 620 milionë lekë. Në vendin e katërt renditet ISHP-ja me 10 tendera të prokuruar dhe që kapin vlerën e shifrat e 252 milionë lekëve.
Të gjithë kërkuan ilaçe
Ilaçet dhe barnat kanë qenë produkti më i kërkuar gjatë tenderave të shpallur, dhe këtë e tregojnë 75 kontraktime në total të tenderuara nga Spitali “Shefqet Ndroqi” dhe Ministria e Shëndetësisë.
Dhe ashtu siç pritej, në vend të dytë radhiten tenderat dhe kërkesa për mjete mbrojtëse, që janë prokuruar nga 20 institucione dhe 40 kontraktime në total. Vendin e tretë e zënë tenderat për oksigjen me 33 kontraktime të kryera nga 15 institucione tenderuese. Pas këtyre renditen tenderat për blerjen e testeve/tampone ku janë zhvilluar 22 kontraktime nga 4 institucione ndërsa listën e top pesëshes e mbyllin 15 kontraktime sekrete sipas VKM nr.203, e zhvilluar në 2020, ku janë kryer 15 kontraktime nga 2 institucione tenderuese.
Po vaksinat dhe dezinfektantët?
Edhe pse nuk është renditur në listën e atyre kategorive që janë kryer më shumë tendera, sa i përket shpenzimeve nga ana buxhetore, vendin e parë e zënë kontraktimet për vaksinim. Deri tani janë harxhuar rreth 3.1 miliard lekë, për tu pasuar nga shpenzimet për blerje oksigjeni. Totali i shpenzuar për blerjen e oksigjenit kap shifrën e 2.1 miliardë lekëve. Në vendin e tretë sa i përket vlerës së shpenzimeve renditen kontraktimet për mjete mbrojtese, ku janë shpenzuar rreth 953 milionë lekë, në vendin e katërt renditen kontraktimet për blerjen e testeve/tamponëve me 952 milionë lekë dhe në vendin e pestë renditen kontraktimet për aparatura me rreth 200 milionë lekë. Ndërsa ajo që bie në sy është fakti se për dezifektues janë harxhuar vetëm 97 milionë lekë, gjatë periudhës kur njëkohësisht apeli kryesor i mjekëve dhe zyrtarëve të lartë ishte kërkesa për larjen e duarve.
Një fakt tjetër zbulohet nga hedhja dritë mbi tenderat e zhvilluar. Shteti shqiptar ka harxhuar më shumë nga çfarë është bërë publike, ku del se qeveria ka harxhuar 30 milionë dollarë ose rreth 3.1 miliardë lekë.
Më tepër Sinovac
Vendin e parë e zë kontrata me “Keymen Ilac Sanayi ticaret anonym sirket (Sinovac)”, për të cilin shteti shqiptar ka nxjerrë nga xhepi 20 milionë dollarë ose 2 miliardë lekë në bazë edhe të dy VKM-ve që tregojnë shifrat që janë paguar. Dy pagesat për vaksinën kineze janë bërë në mars 2021, ku e tregon edhe VKM nr.174 dhe pagesa tjetër është kryer në qershor 2021, ku e tregon edhe VKM nr.357. Në vendin e dytë renditet kontrata me “Pfizer export by”, ku janë shpenzuar 5,9 milionë dollarë ose rreth 620 milionë lekë, ndërsa në vendin e tretë renditet kontrata me “Gavi Alliance”, ku shteti shqiptar ka shpenzuar 4.1 milionë dollarë ose 430 milionë lekë.
Për dy kontratat e tjera me “Pfizer Overseas LLC” dhe “Human Vaccine LLC (Sputnik V)” nuk ka asnjë informacion zyrtar sesa para janë harxhuar.
Por sipas një artikulli të faqes biospace.com i publikuar me 15 qershor 2021, çmimet e vaksinave për dozë janë këto: për vaksinën “Pfizer-BioNTech”, një dozë kushton 19.50$, një dozë e vaksinës “AstraZeneca” kushton 5.25$, për vaksinën “Sputnik V”, kushton 10$ doza dhe vaksina kineze “Sinovac” ka edhe çmimin më të lartë për dozë, një dozë e saj kushton 29.75$.
Në vendin tonë sipas publikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, nga nisja e vaksinimit më datë 11 janar 2021 janë kryer në total 1,005,663 doza të vaksinës ndaj Covid-19, ku prej tyre 426,111 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.
Oksigjeni dhe kompania fituese
Më pas në vendin e dytë, për shifrat e shpenzuara renditen blerjet për oksigjen, ku janë harxhuar rreth 2.1 miliardë lekë pa TVSH. Ajo çfarë vihet re është se shumica e këtyre tenderave janë fituar nga dy kompani, bëhet fjalë për kompaninë “GTS- Gazra Teknike Shqiptare” me 20 kontraktime të cilat kapin vlerën e 1.91 miliardë lekë dhe nga kompania “Messer Albagaz Shpk” me 9 kontraktime me një vlerë totale prej 196 milionë lekësh.
Por “GTS-Gazra Teknike Shqiptare shpk” është një kompani që zotërohet nga shoqëria italiane “SOL spa” e cila tenderin e parë nga institucionet e shëndetësisë e ka fituar në 2016 dhe që nga ajo kohë deri në qershor 2021 ka fituar 111 tendera që kapin vlerën e 2.48 miliardë lekë pa tvsh dhe 84% të vlerës totale të kontraktimeve për këtë kompani në shëndetësi që nga 2016 e përbëjnë tenderat për Covid-in.
Kjo kompani ka fituar në total 30 tendera për Covid me vlerë totale pa tvsh prej 2.08 miliardë lekë të mbajtura në 13 institucione shëndetësore. Kryesisht këto tendera janë për blerje oksigjeni dhe mirëmbajtje-riparim sistemeve shëndetësore. Nga vëzhgimi i kryer rezulton se në 23 tendera kompania ka qënë vetëm në garë dhe vetëm në 2 raste nuk ka qënë konkurrues i vetëm në garë.
Edhe pse ka fituar tendera që kapin vlerën totale të 2.08 miliardë lekë, deri tani nga thesari i shtetit kjo kompani ka marrë vetëm gjysmën e saj, prej 1 miliard lekësh, kjo për shkak se disa tendera janë marrëveshje kuadër.
Institucionet ku ka fituar më shumë tendera kjo kompani janë: QSUT me 8 tendera, Spitali Rajonal Durrës me 6 tendera, Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe Ministria e Shëndetësisë me nga 2 tendera, etj.
Institucioni që renditet edhe i pari ku ka fituar më shumë tendera siç është QSUT, ku kjo kompani ka fituar një vlerë prej 1.1 miliardë lekë ose 53% e vlerës totale të fituar, më pas vjen Spitali “Shefqet Ndroqi” me rreth 455 milionë lekë ose 21.8% të vlerës totale.
Pas kompanisë “GTS”, e dyta që ka përfituar më shumë sa i përket vlerës totale ëshë kompania “Evita Shpk”, një kompani që është e zotëruar nga një shoqëri hollandeze Arimo BV në masën 72.5% të kapitalit dhe Ertel Kërçuku në masën 27.5%.
Vlera totale e fituar nga tenderat për këtë kompani është rreth 630 milionë lekë pa tvsh, ku përgjithësisht ka furnizuar institucionet me kite/reagent dhe teste për Covid-19. Nga 4 tenderat që ka fituar, shifrën më të mëdha e ka Ministria e Shëndetësisë me një total prej 616 milionë lekë ose 98% të vlerës totale dhe nga Spitali “Shefqet Ndroqi” ka fituar 11.5 milionë lekë.
Ashtu si edhe kompania “GTS”, kjo kompani 3 tendera i ka fituar si i vetëm në garë, ndërsa në tenderin tjetër janë skualifikuar të gjithë konkurrentët. Kjo kompani që në vitin 2016 ka fituar 110 kontrata në shëndetësi, ku vlera totale është 1.31 miliardë, pra pothuajse 50% të vlerës totale e ka fituar nga tenderat e Covid-it. Nga buxheti i shtetit kjo kompani deri tani vetëm për tenderat e Covid-it i janë paguar 281 milionë lekë.
Sakaq në vendin e tretë që ka përfituar më shumë tendera sa i përket vlerës totale është kompania “Intermed shpk” e cila vetëm për tendera Covid ka fituar rreth 385 milionë lekë. Të tre tenderat kjo kompani i ka fituar nga Ministria e Shëndetësisë me objekt “Blerje artikuj për masa mbrojtëse personale dhe për blerje barnash”. Ashtu edhe si dy kompanitë e tjera kjo kompani fitimin më të madh e ka pasur nga tenderat për Covidin, pasi që nga 2016 deri në qershor 2021 ka fituar 227 tendera me institucionet e shëndetësisë që kapin vlerën totale prej rreth 614 milionë lekësh, pra vërehet se më shumë se gjysmën e vlerës së fituar nga tenderat e tjera.
Ndërsa nga buxheti i shtetit kësaj kompanie vetëm për tenderat e Covid-it i janë paguar rreth 96 milionë lekë.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al