Bashkimi Evropian ka kritikuar qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë për ngjarjet e zhvilluara më 24 orët e fundit.
Brukseli qortoi Kosovën për “aksion të njëanshme” ndërsa Serbinë për bllokimin e rrugëve.
“Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Sipas Brukselit, mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është dialogu dhe bisedimet, andaj konfirmoi që kanë ftuar të dy palët, Kosovën dhe Serbinë, të takohen në Bruksel “për të diskutuar rrugën përpara”.
“Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së Joseph Borrell dhe SHBA-së për të shtyrë masat e planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, njofton BE.
BE thotë se fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE. Fokusi duhet të kthehet te normalizimi gjithëpërfshirës i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbësor për rrugët e tyre përkatëse të integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e BE-së.