BRUKSEL– Sot në Bruksel do të mbahet takimi i nivelit të lartë i dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Ai gjithashtu do të trajtojë çështjet aktuale dhe do të synojë zbutjen e tensionit aktual në terren, thuhet në njoftim.
Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, do të zhvillojë gjithashtu takime të veçanta me secilin lider. Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Borrell.
Ditën e djeshme, Kurti zhvilloi takime me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg. Gjatë ditës së djeshme është diskutuar edhe çështje e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – kërkesë këmbëngulëse e Serbisë, po që SHBA thotë se duhet të bëhet vetëm konform Kushtetutës së Kosovës.
Takimi Kurti-Vuçiç vjen vetëm 13 ditë para 1 shtatorit, datë kur do të nis zbatimi i reciprocitetit me dokumente me Serbinë .