Testi i pasurisë ngel 2/3 e ministrave të Ramës, në dy kabinetet që nga viti 2013.
Ky ishte thelbi i një artikulli të rrjetit investigative “Birn”, bazuar në të dhënat zyrtare të ILDKPI.
Lidhur me këtë temë, i ftuar në “intervistën e mbrëmjes” në RTV Ora, përballë gazetares Beti Njuma ishte Besar Likmetaj, autor i artikullit në BIRN.
Sipas gazetarit, analiza e djekur nuk do të thotë se pasuria është domosdoshmërisht e paligjshme por do të thotë se mënyra se si është deklaruar në deklaratën vjetore të pasurisë është e pajustifikuar.
“Ne kemi pyetur ILDKPI dhe na është thënë se nga kontrollet e tyre nuk ka patur probleme, sa i përket hetimit administrativ. Kjo është përgjigja zyrtare që kemi marrë nga ILDKPI. Duhet të jemi të qartë. Kur flasim për këtë lloj analize, të kontrollit aritmetik-logjik, nuk do të thotë se pasuria është domosdoshmërisht e paligjshme por do të thotë se mënyra se si është deklaruar në deklaratën vjetore të pasurisë është e pajustifikuar. Në sensin që, një zyrtar, një ministër në këtë rast, i kabinetit të qeverisë Rama, në një vit të caktuar të karrierës së tij nëse ka shtuar një apo disa asete nuk e ka justifikuar atë me të ardhurat që ka deklaruar nga kursimet e tij. Le të themi blen një aset 10 dollarë, ka kursime 5 dollarë, i shkurton 3 dollarë dhe ka të ardhura 1 dollar. Kjo është një metodë e thjeshtë se si bëhet kontrolli aritmetik-logjik“, u shpreh Likmetaj.
Sa i përket “trukut” me makinat e ministrave, të cilat i kanë blerë më lirë dhe pas disa vitesh i shesin më të shtrenjtë, Likmetaj u shpreh:
“Nga 27 ministra të dy kabineteve Rama, nga viti 2013, 1/3-at e tyre përfitojnë nga shit-blerja e makinave. Që është një flamur i kuq i drejtpërdrejtë . Në këtë periudhë kanë përfituar 5.2 milionë lekë të reja. Kjo është diçka shumë e çuditshme , diçka që duhet ti ngrejë antentat e atyre që hetojnë pasuritë e politikanëve sepse makinat janë asete të amortizueshme. Një makinë që del nga koncesionari mund të humbë direkt 20% të vlerës. Është e çuditshme, që jo vetëm në një rast të veçuar, por në mënyrë të përsëritur ata i blejnë me një çmim më të lirë dhe i shesin me një çmim më të shtrenjtë”
Analiza e të ardhurave të 27 anëtarëve të kabinetit “Rama” tregon se nga viti 2013 deri në vitin 2018, ata përfituan në total 5.2 milionë lekë nga shitblerja e automjeteve, edhe pse pasuritë e luajtshme janë asete të amortizueshme. Nga 33 raste të deklarimit të shitjes së automjeteve nga ministrat e kabinetit qeveritar, rezulton se në 36% të rasteve, shitja është realizuar me fitim.
Sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, 27 anëtarët e Këshillit të Ministrave nga vitit 2013 deri në vitin 2018 regjistruan të ardhura totale me vlerë 1.5 miliardë lekë, nga të cilat 62.6% e të cilave ose 956.7 milionë lekë, vijnë si rrjedhojë e pagës së bashkëshortëve dhe pagës së subjekteve si pasojë e funksionit.
Ndërkohë, 125.6 milionë lekë ose 8.2 % e totalit janë të ardhura nga biznesi, 69.5 milionë lekë janë të ardhura nga shitja e pasurive të paluajtshme, 108.9 milionë lekë janë të ardhura nga qiratë, 8.8 milionë nga mësimdhënia dhe 1.8 milionë lekë janë dhurata në cash.
Në total, shpenzimet e kabinetit gjatë së njëjtës periudhë kapin vlerën 255.2 milionë lekë, ku 68.8 % ka shkuar për pagesën e kësteve të kredisë, 21.9 % pagesa ndaj shoqërive të ndërtimit, ndërsa pjesa tjetër përfshin shpenzime shkollimi dhe këste huaje.