Një tjetër deputet i është larguar Partisë Socialiste ditën e sotme. Bëhet me dije se deputeti i cili ka zgjedhur të mos kandidojë sërish në listat e PS në zjedhjet e 25 prillit është Sadi Vorpsi. Vorpsi mbante postin e prefektit të qarkut Tiranë dhe pas katër vitesh në këtë pozicion, ai thotë se ka vendosur ta kalojë stafetën te prurjeve të reja. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish-deputeti nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime”, shkruan Vorpsi.
Kujtojmë që më herët janë larguar dhe 2 deputetë të tjerë nga Partia Socialiste, duke u shprehur se dëshirojnë t’u hapin rrugë prurjeve të reja në parti. Ndërkohë si prurje të reja, Partia Socialiste ka konfirmuar disa emra që kanë mjaft bujë në opinionin publik, ku mund të përmenden: nxhinierja 79-vjeçare Luljeta Bozo apo edhe shefja e Shërbimit te pavionit te Infektivit, Najada Çomo.