Një tjetër aks rrugor në jug të vendit që mirëmbahet nga kompania ‘Salillari’ rrezikon të ketë të njëjtin fat me atë të Borshit dhe disa rrugëve të tjera. Aksi nacional Vlorë-Orikum ka pësuar dëmtime të shumta në kilometrin e 7-të të tij.
Banorët janë shprehur të shqetësuar për rrugën duke thënë për News24 se si sinjalistikë janë vetëm konet të vendosura anës rrugës.
Më 1 janar të vitit 2017 kompania ‘Salillari’ firmosi kontratë 5 vjeçare me Autoritetin Rrugor Shqiptar për mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e 1300 kilometrave akse rrugore.
Vetëm për rrugën Vlorë-Gjirokastër me gjatësi 350 kilometra ka marrë 13.7 milionë euro, por situata e rrugës tregon se ‘Salillari’ vazhdon të mos i përmbushë detyrimet, për të cilat është paguar miliona euro.