Një 28 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së komisariatit nr. 4 në Tiranë, pasi ka transportuar kundrejt fitimit 12 emigrantë të paligjshëm.
I riu me iniciale R.K., banues në Tiranë, është arrestuar në sajë të operacionit të koduar “Perimetri”, pasi më 28 dhjetor 2020, në Dardhas të Pogradecit me mjetin tip “Volkswagen”, me të cilin po transportonte në drejtim të Tiranës kundrejt fitimit 12 emigrantë.
28 vjeçari nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi dhe ka braktisur mjetin.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 4 në Tiranë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 28.12.2020, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë të mundur ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim R. K., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi i mësipërm, pasi është konstatuar nga forcat e Policisë, në fshatin Dardhas, Pogradec, me mjetin tip “Volkswagen”, me të cilin po transportonte në drejtim të Tiranës kundrejt fitimit 12 emigrantë të paligjshëm, nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi duke braktisur mjetin”, njofton Policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.