Tregu i sigurimeve e mbylli 9-mujorin e parë të vitit me një volum total të primeve të shkruara bruto prej 14.2 miliardë lekësh ose rreth 116 milionë eurosh.
Statistikat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se tregu po ruan ritme dyshifrore të rritjes, me 18% më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Rritja e lartë pjesërisht i detyrohet edhe efektit të pandemisë në tregun e sigurimeve, që u ndie sidomos në produktet që lidheshin me lëvizjet ndërkufitare të njerëzve dhe mjeteve.
Megjithatë, tregu është në rritje edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, me 10.4% më shumë, çka tregon një rritje të kënaqshme edhe në raport me periudhat normale. Tregu shqiptar i sigurimeve mbetet kryesisht i varur nga produktet që në mënyrë direkte apo indirekte janë të detyrueshme, kryesisht në segmentin e sigurimeve motorike.
Shtimi i numrit të mjeteve në qarkullim, zgjerimi i turizmit hyrës në rrugë tokësore, por edhe rritja e tregut të qirasë financiare janë element që vetvetiu sigurojnë një rritje graduale të volumit të primeve të shkruara bruto. Për 9-mujorin, primet në klasat e sigurimeve të detyrueshme motorike u rritën me 13.8% krahasuar me një vit më parë. Normën më të lartë të rritjes e shfaqin produktet që vitin e kaluar u ndikuan më shumë nga pandemia. Këtë vit primet nga policat kufitare janë rritur me 146.6%, ndërsa ato nga kartoni jeshil me 27.55%. Sigurimi i brendshëm motorik TPL deri tani po shënon një normë rritjeje me 8.8%.
Ritme të larta të rritjes po shfaq edhe sigurimi KASKO i automjeteve, me 27.25% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ky sigurim ligjërisht është vullnetar, por në pjesën dërrmuese ai lidhet me financimet e automjeteve me lizing. Këtë vit ky treg është përmirësuar, edhe falë rikthimit të turizmit hyrës dhe rritjes së kërkesës për makina me qira.
Ritme të larta të rritjes për këtë vit po shfaq edhe sigurimi i katastrofave. Primet e shkruara bruto arritën vlerën e 1.42 miliardë lekëve, me një rritje prej 44.2% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, rritja e numrit të kontratave në klasat e sigurimit të pronës është disa herë më e ulët, me vetëm 10.9%. Kjo tregon që pjesa më e madhe e rritjes në këtë produkt ka ardhur nga shtrenjtimi i primeve ose nga rritja e vlerës së përgjegjësive të siguruara.
Ritme të larta të rritjes këtë vit po shfaq edhe tregu i sigurimit të jetës. Për 9-mujorin, primet e shkruara bruto janë rritur me 25.2% krahasuar me një vit më parë. Ky treg vazhdon të dominohet nga sigurimi i jetës së debitorit, ku primet këtë vit janë rritur me 31% dhe përbëjnë pothuajse 70% të totalit të tregut.
Kjo tregon se rritja e tregut të sigurimit të jetës po mbështetet sidomos te zgjerimi i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme, ku sigurimi i jetës së huamarrësit është kusht i kërkuar nga bankat.
Marrë nga Monitor.al