Kosovë- Prishtina u trondit mbrëmjen e djeshme si pasojë e të shtënave me armë zjarri ku mbeti i plagosur Rinor Grajqevci, lideri i tifozëve të grupit të njohur “Plisat”.
Ai u qëllua me armë në rrugën “UÇK” e njohur ndryshe si “Qafa”. Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Njoftimi
“Sot rreth orës 21:00 kemi marrë informacionin për një plagosje me armë zjarri në rrugën ‘UÇK’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes”, tha ajo.
I plagosuri Rinor Grajqevci ndodhet në spital. “Gjendja është stabile për momentin. Është jashtë rrezikut për jetë. Jemi duke pritur rezultatet e analizave. Është plagosur në shpinë” tha një nga mjeket e spitalit të Prishtinës për mediat në Kosovë. Për atentatin nuk ka asnjë të arrestuar.