“Nuk kam lidhje me vrasjen. Unë kam qenë në shtëpi atë natë“, është deklarata që Nikoll Sherrniku ka bërë përpara policisë.
21-vjeçari u arrestua një ditë më parë për vrasjen e efektivit të policisë Xhulio Prela, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 5 dhjetorit të këtij viti.
Ndërkohë personi tjetër, me inicialet B.M., i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje vazhdon që të jetë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas burimeve, sherri mes viktimës dhe dy autorëve të dyshuar, ka nisur për shkak të dritave të gjata të makinës që reflektonin mbi palën tjetër.
26-vjeçari Xhulio Prela, po kthehej nga Shkodra, nga ku kishte dërguar më herët një mikun e tij që ishte kthyer nga Anglia. Vrasja ndodhi në afërsi të fshatit Gajush në orën 03:00 të mëngjesit teksa dyshohet se Xhulio Prela është qëlluar nga afër me tre plumba, ndërsa njëri prej tyre ka qenë në zemër duke i shkaktuar vdekjen.
Pasi u qëllua, makina tip “Volkswagen” ka ecur në gjendje të lirë për disa qindra metra duke përfunduar në anë të rrugës. Vrasja është filmuar nga kamerat e sigurisë që kanë qenë të instaluara pranë vendit të ngjarjes. Megjithëse një kamion kishte zënë një pjesë të pamjeve, policia pretendon se ka zbardhur vrasjen e efektivit të FNSH-së së Shkodrës, duke siguruar edhe prova të tjera të pakontestueshme.