Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salinaji ka reaguar pas lënies jashtë listave të kandidatëve të PD për zgjedhjet e ardhshme. Në një postim në Facebook ai thotë se ka sakrifikuar dhe është investuar fort për betejën opozitare, por nuk bën ndonjë kritikë për procesin.
“Beteja e gjatë opozitare më ka shërbyer të kuptoj se cili person dua të jem në politikë. Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare .
Falë kësaj beteje mbështetja masive e demokratëve nuk më ka munguar në asnjë hap të rrugëtimit politik. Në zgjedhjet e fundit me mirënjohje pohoj se isha më i vleresuari nga anëtarësia e Partisë Demokratike.
Po aq me mirënjohje përmend rezultatin më të mirë që ka marrë PD në zgjedhjet e fundit parlamentare në qarkun ku garova falë mbeshtetjes tuaj dhe të qytetarëve.
Për këtë dhe vetëmbesimi dhe forca mbështetet tek ju, si vlerësuesit më të rëndësishēm e legjitim. Për këtë misioni im është një dhe i vetëm, demokratët të jenë fitues. #ditëmëtëmira” – shkruan Salianji.