Konfindustria ka reaguar kundër kërkesë së Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese e cila propozoi uljen e taksës së karburantit për jahtet. “Në një kohë që në buxhetin 2022 penalizohen fermerët dhe u hiqet rimbursimi i kostove mbetëse të TVSH-së”, thotë Konfindusitria, “komisioni favorizon jahtet duke u ulur çmimin në vend që duhet t’ia rrisin edhe më shumë se 65 lekë për litër”.
Konfindustria shprehet se kjo ulje është e papranueshme jo vetëm ekonomikisht por edhe moralisht, në një kohë që buxheti i shtetit humbet nga kjo 14 milionë dollarë.
“Konfindustria vlerëson, se është e papranueshme ekonomikisht dhe mjaft e rëndë moralisht ulja e taksës së karburanteve nga 65 leke/liter në 40 leke/litër për mjetet lundruese. Kërkesa për ulje të taksës së karburanteve për mjetet lundruese është bërë gjatë shqyrtimit në komisionet parlamentare të draftit të Paketës Fiskale 2022. Konfindustria vlerëson, se buxheti i shtetit në një rast të tillë do të humbte drejtëpërdrejt të paktën 14 milion$ USD pa llogaritur sasitë e padeklaruara. Gjate gjithë viteve të mungesës së taksës së mësipërme nuk janë arkëtuar mbi 50 milionë $USD/vit në buxhetin e shtetit në përfitim të kompanive tregtare oligopol të karburanteve. Moralisht është e papranueshme mosarkëtimi i shumës së mësipërme, në kushtet kur në buxhetin e vitit 2022 për shkak të shtrengesës financiare për dhjetramijë fermerë, është hequr rimbursimi i kostove mbetëse të TVSH-së. Konfindustria i kërkon komisioneve parlamentare, që jo vetëm të mos ketë ulje të taksës së karburanteve për kategoritë e mjetet lundruese, por të shikohet rritja dhe përcaktimi i nivelit të taksës sipas politikave të vendeve të BE dhe rajonit. Gjithashtu, taksa e karburanteve është e domosdoshme parë edhe kostot mjedisore të mjeteve lundruese”, thuhet në reagimin e Konfindustrias.
Ditën e djeshme Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese propozoi që taksa e karburantin për jahtet të mos jetë 65 lekë por 40 lekë për litër. Përveç uljes së taksës propozohet që ky taksim të zbatohet vetëm për mjetet lundruese me destinacion jashtë ujërave territoriale. Pra mjetet lundruese me qëllime turistike që qarkullojnë brenda ujërave të vendit nuk do paguajnë taksë.
Mjetet lundruese kanë qenë të privilegjuara deri më tani dhe nuk kanë paguar taksa sepse janë të përjashtuara. Sipas përllogaritjeve të bëra nga financat thuhet se këto mjete janë furnizuar me 18 mijë tonë karburant në vit, ose rreth 21 milionë litra karburant. Me taksën 65 lekë të propozuar nga financat arka e shtetit do të përfitonte 1.350 miliardë lekë në vit.