Vaksina kundër Covid-19 do të jetë ari i lëngshëm i vitit 2021. Agjencia policore ndërkombëtare Interpol ka njoftuar se vaksina do të jetë malli më i çmuar për t’u shpërndarë dhe organizatat kriminale në mbarë botën janë bërë tashmë gati. Shefi i Interpol, Jurgen Stock ka deklaruar se me përhapjen e vaksinave, kriminaliteti do të rritet ndjeshëm. Gjithashtu, korrupsioni do të lulëzojë në shumë vende për të siguruar sa më shpejt këtë “mall të çmuar”.
Shefi i Interpol ka saktësuar se, në vend që të përfitojnë nga ilaçet, sikurse bënin më parë, grupet kriminale janë spostuar me shpejtësi drejt produkteve sanitare të falsifikuara si antiviralët dhe maskat false. Dhe tani, teksa vaksinat po autorizohen, kriminelët janë gati të dalin në treg me vaksina të falsifikuara.