Italia është sërish një ndër vendet e prekura frikshëm nga vala e dytë e koronavirusit. E themi këtë sepse dita-ditës numrat e të infektuarve dhe viktimave sa vijë dhe rriten.
Kështu në 24 orët e fundit mediat italiane raportojnë se se sot janë testuar pozitivë 37,242 raste të reja me koronavirus, ndërsa fatkeqësisht kanë humbur jetën 699 qytetarë.
Kurse ditën e djeshme rastet e reja pozitive ishin 36,176, ndërsa humbjet e jetës 653.
Që nga dje, në kujdesin intensiv kanë shkuar 36 pacientë të tjerë, duke e çuar në total numrin në 3,748. Në 24 orët e mëparshme, rritja e pranimeve në ICU kishte qenë 42 pacientë. Midis 17 dhe 18 nëntor, rritja e kujdesit intensiv ishte 58 shtrime. Ndërsa ndërmjet të hënës 16 dhe të martës 17 nëntor rritja në njësitë e kujdesit intensiv ishte 120. Pra vihet re një tendencë në ulje e pranimeve në kujdesin intensiv.
Numri i të shëruarve po rritet. 21,035 persona janë shëruar në 24 orët e fundit, për një total prej 520,022 që nga fillimi i pandemisë. Rajoni më i prekur mbetet Lombardia me 9,221 raste të reja, ndjekur nga Campania (+ 4,226) dhe Piemonte (+ 3,861).
“Nëse nga njëra anë mund të shohim një dritë, nga ana tjetër duhet ta mbajmë atë. Indekset e shtretërve dhe kujdesit intensiv nuk janë pozitive. Spitalet do të vuajnë ende për javë të tëra“, nënvizoi Gianni Rezza, ministri i shëndetësisë në Itali, gjatë konferencës për shtyp në ministrinë për monitorimin e të dhënave javore të dhomës së kontrollit Covid-19.