Turqi- Zjarre masive pyjore, që filluan të mërkurën dhe të enjten, janë bërë edhe më të furishme gjatë të premtes.
Zjarret që shpërthejnë njëra pas tjetrës janë të zakonshme në sezonin e “zjarrit” kur temperaturat janë në nivelin më të lartë, por dëmet janë të pazakonta këtë herë, këto flakë po shkatërrojnë fshatra të tëra.
Zjarret në rajonet jugore të njohura si zona e turistëve, gjithashtu ngritën dyshimin për zjarrvënie ndërsa autoritetet ende po hetojnë shkaqet e tyre. Numri i viktimave nga zjarret ka arritur në 4, ditën e enjte, kur një i ri që përpiqej të ndihmonte zjarrfikësit vdiq pasi u kap në mes të një zjarri në Marmaris.
Tre të tjerët, vdekjet e të cilëve u raportuan të enjten, ishin banorë të Antalias të cilët nuk ishin në gjendje të shpëtonin nga zjarri i përhapur me shpejtësi në fshatra. Zjarri i cili filloi në Manavgat të Antalias të mërkurën ishte më shkatërruesi. 8 provinca të Turqisë janë përfshirë nga flakët, ku prej më shumë se 48 orësh flakët nuk kanë pushuar.