Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë ka bërë të ditur se që nga e hëna kur edhe u vendos reciprociteti me Serbinë sa i përket targave të automjeteve e deri më sot, ka administruar mbi 6 mijë targa të përkohshme.
“Gjatë periudhës 20 – 22 Shtator 2021, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil (ARC), ka administruar gjithsej 6375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.”
Sipas statistikave nga MPB, në pikën kufitare Dheu i Bardhë janë lëshuar 1,616 targa të përkohshme, në Merdar 1309, në Jarinje 13, në Bërnjak 11 e kështu me radhë. Kujtojmë se policia e Kosovës po vazhdon të qëndroj në pikat kufitare 1 dhe 31 në Jarinje dhe Bërnjakë, pasi që qytetarët serbë edhe sot po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në këto pika.