Përdorimi i pagesave bankare në distancë po shfaq tendenca të rritjes së mëtejshme gjatë muajve të parë të vitit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për muajin maj, vlera e transaksioneve përmes kanaleve të bankingut në distancë arriti nivelin më të lartë të shënuar këtë vit, prej afërsisht 110 miliardë lekësh.
Për pesë muajt e parë të vitit 2021, mesatarja mujore e transaksioneve bankave në distancë rezulton rreth 94.8 miliardë lekë, nga 87.1 miliardë lekë që ishte mesatarja mujore e vlerës së transaksioneve për vitin 2020.
Rritja është e prekshme edhe e matur si numër transaksionesh, me një mesatare mujore prej rreth 380 mijë, nga 343 mijë që kishte qenë mesatarja e vitit të kaluar.
Bankingu në distancë (home banking) përfshin ato veprime bankare që ekzekutohen pa qenë nevoja që klienti të shkojë fizikisht në bankë. Kanalet kryesore përmes të cilat kryhen këto veprime janë internet banking apo mobile banking, por tashmë këto shërbime po shkrihen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Shumica e bankave e ofrojnë shërbimin e internet banking edhe përmes aplikacioneve në telefonat celularë, me qëllim për t’iu përshtatur tendencës së mobilitetit në përdorimin e internetit.
Përdorimi i internet banking është në rritje për të trembëdhjetin vit radhazi, edhe falë shtysës së mëtejshme që pandemia i dha përdorimit të kanaleve të bankingut në distancë vitin e kaluar.
Në fund të vitit 2020, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 586 mijë, në rritje vjetore me 33%. Rreth 89% e llogarive të lidhura me internetin i takojnë individëve, që njëkohësisht zotërojnë edhe peshën më të lartë në strukturën e llogarive bankare.
Si raport i thjeshtë i numrit të llogarive me numrin e përgjithshëm të popullsisë, vlerësohet se në Shqipëri numri i llogarive të lidhura me internetin është sa rreth 21% e popullsisë, në rritje të ndjeshme prej nivelit 15.5% të vitit 2019.
Ligji i ri për shërbimet e pagesave që ka hyrë në fuqi këtë vit pritet të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale. Me ligjin e ri, aksesimi i llogarive bankare nga interneti dhe kryerja e pagesave nga llogaria nuk do të bëhet vetëm përmes shërbimit të bankave, por edhe shërbimeve të ngjashme, që do të ofrohen nga kompani alternative fintech.
Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projekt-rregullore për licencimin e institucioneve të pagesave, institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave. Me zhvillimet e shpejta në sektorin e pagesave në vitet e fundit dhe sidomos pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave” pritet që tregu i bankave në vend të bëhet edhe më dinamik, duke krijuar një mjedis më konkurrues, në veçanti për kompanitë e teknologjisë financiare (fintech)./E.Shehu
Marrë nga Monitor.al