Tiranë- Shtatorja e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova do të vendoset së shpejti në Tiranë, si një vlerësim për gjithçka bëri në Kosovë dhe mbarë shqiptarinë.
Lajmi i mirë u dha nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zhvilloi sot një takim me Presidenten e Kosovës në detyrë, Vjosa Osmani, të cilës i dorëzoi edhe “Çelësin e Qytetit”.
“Jam shumë i lumtur për vizitën në Tiranë. Dua të të dhuroj “Çelësin e Qytetit”, si simbol i një dere të hapur, si simbol i një vendi që duhet të jetë shtëpia jote, shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Mezi pres që t’i bëjmë realitet të gjitha nismat për të cilat diskutuam sot, sidomos ato për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave në politikë. Jam shumë krenar për ju, për punën që po bëni dhe për gjithë energjinë pozitive në Kosovë”, tha Veliaj.