SHBA- Një mjek në Teksas të Shteteve të Bashkuara është shkarkuar nga puna pasi akuzohet se ka vjedhur një paketim të vaksinës kundër Covid që përmbante nëntë doza, duke ua dhënë ato miqve dhe familjarëve.
Mediat e huaja bëjnë me dije se dyshimet e para janë që mjeku Hasan Gokal, i cili punonte në sektorin e shëndetit publik në rajonin Harris, vodhi doza të vaksinës së kompanisë Moderna përderisa ishte duke punuar në një qendër vaksinimi në Humble më 29 dhjetor.
Rasti raportohet se u zbulua pasi Gokal u mburr para një kolegu për këtë vepër. Më pas, bashkëpunëtori e raportoi këtë rast te mbikëqyrësit.
Prokurorët më vonë vlerësuan se mjeku 48 vjeç e kishte përdorur paketimin për t’ua dhënë vaksinën nëntë personave, përfshirë bashkëshorten.
“Ai e abuzoi pozitën për t’i vendosur në radhë të vaksinimit personat që nuk i janë nënshtruar procesit ligjor për të qenë aty. Ajo që bëri ai ka qenë ilegale dhe për këtë do të mbahet përgjegjës sipas ligjit”, tha prokurorja rajonale, Kim Ogg.
Ndërkohë avokati i mjekut, Paul Doyle, ka deklaruar se një gjë e tillë nuk është e vërtete dhe kutia është marrë nga mjeku pasi ka qenë e dëmtuar dhe ai nuk ka dashur që të shkojë dëm.