Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Siç ka thënë vet Vuçiç, temë kryesore e kësaj bisede telefonike kanë qenë tensionet në veri të Kosovës.
Presidenti serb ka thënë se Serbia nuk e ka thyer asnjë pikë të Marrëveshjes së Brukselit, dhe as nuk “ka rrezikuar paqen”, siç pretendon ai se ka bërë Kosova me dërgimin e forcave policore në veri.
“Pushtimi i plotë me automjete të blinduara në veri të Kosovës, i cili po kryhet nga Prishtina, ka vazhduar për shtatë ditë dhe të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare heshtin me zë të lartë”, theksoi Vuçiç.
Më tej ai thotë se “befas shqetësohen kur shohin helikopterë dhe aeroplanë serbë në territorin e Serbisë qendrore, sepse mendojnë se ata nuk duhet të ekzistojnë, ose nuk duhet të ngrihen derisa Kurti ose dikush nga bashkësia ndërkombëtare të miratojë atë”, ka thënë presidenti serb.
Duke folur më tej për bisedën që ka pasur me Stoltenbergun, Vuçiç thotë se e ka pyetur atë se cilën normë apo rregullore ka shkelur Serbia me veprimet e saj.
Serbia po provokon vazhdimisht afër kufirit me Kosovën duke bërë manovra ushtarake me fluturaket e ushtrisë së saj.