GREQI-Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas ka njoftuar se karantina në vend do të zgjatet përtej afatit të menduar. Në një intervistë për mediat greke ai është shprehur se karantina mund të ketë një zgjatje të vogël edhe pse të dhënat nga Ministria e Shtëndetësisë tregojnë një rënie të rasteve të infektuara me Covid-19. Ai gjithashtu tha se numri i shtrimeve në spital është më i ulët se i daljeve nga spitali.
Petsas më tej, deklaroi se fushata e vaksinimit në Greqi do të nisë në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit dhe do të mbarojë në qershor. Ai tha se fillimisht qeveria e Mitsotakis do të nisë një program informimi për të bindur qytetarët që të marrin vaksinën.
Më poshtë ai i qëndroi vendimit të Kryeministrit për hapje të ngadaltë dhe tha se qeveria do të marrë masa për një hapje të avashtë dhe të sigurtë. Në fund ai nuk dha një përgjigje se kur do të hapen dyqanet apo shkollat por shtoi se njoftimet përkatëse do të bëhen në fund të javës nga vetë Kryeministri.