Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev largohet sot nga posti i tij, ku pritet ta dorëzojë zyrtarisht dorëheqjen pas fjalimit tradicional vjetor në Kuvend.
Ky vendim i tij u paralajmërua pasi partia e tij LSDM humbi në zgjedhjet lokale. Zaev u zgjodh në krye të Qeverisë së vendit në prill të 2017. Ai më parë u dorëhoq edhe nga detyra e kryetarit të LSDM, ku në vend të tij u zgjodh Dimitar Kovaçevski, i cili do të jetë mandatari i ri për kryeministër për formimin e qeverisë së re.
Pendarovski pas dorëheqjes së Zaevit duhet t’i japë mandat kryeministrit të ri, Kovaçevski. Kryeministri i mandatuar i paraqet Kuvendit program në afat prej 20 ditësh nga dita e marrjes së mandatit dhe propozon përbërjen e Qeverisë.