Mal i Zi- Në komunën e Tuzit me shumicë shqiptare në Malin e Zi po shënohen tensione mëngjesin e sotëm pasi lokalet dhe baret kanë sfiduar vendimin e qeverisë malazeze për masat e izolimit duke i hapur ato për klientët.
Kryetari i komunës së Tuzit shqiptari Nik Gjeloshaj e ka quajtur vendimin e qeverisë malazeze për të mos lejuar hapjen e kafeneve në këtë qytet si diskriminuese dhe shenjë hakmarrjeje nga ana e kryeministrit Malazez Zdravko Krivokapic ndaj Gjeloshajt që e kritikoi atë për mos dërgimin e një mesazhi urimi për pavarësinë e Kosovës.
Gjeloshaj më parë tha për mediat vendase se ai iu drejtua Kryeministrit dhe Zëvendës Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazovic, duke i ftuar ata publikisht në një takim. “Askush nuk u përgjigj, të gjithë heshtin, ata nuk u përgjigjen kërkesave tona. Ne donim një dialog, për të na shpjeguar pse dhe mbi çfarë baze u diskriminuan furnizuesit e ushqimit në Tuzi, sepse të gjithë e dimë që komuna jonë i përket grupit të parë dhe nuk ka përshkallëzim të përhapjes së Covid në Tuz”, tha Gjeloshaj.