SERBI– Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ditën e djeshme pas vizitës së tij 3 ditore ne Prishtinë ka vizituar Beogradin.
Gjatë ditës së djeshme ai ka zhvilluar një takim me presidentin serb, Aleksander Vuçiç me të cilin ka diskutuar rreth vazhdimit të dialogut mes dy vendeve.
“Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me Kosovën dhe është e gatshme të vazhdojë në çdo kohë”, tha presidenti serb.
Vuçiç gjithashtu theksoi se mbështet përpjekjen e Lajçak për arritjen e një kompromisi politik mes dy vendeve.
“Pavarësisht nga deklaratat që vijnë nga Prishtina, të cilat nuk janë inkurajuese, detyrimi ynë është të angazhohemi, sepse nuk do të ketë përparim në integrimin evropian nëse nuk bëjmë përparim serioz në dialogun me Prishtinën.” Tha presidenti.
Në lidhje me njohjen e Kosovës nga Serbia ai tha se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
“Nëse dikush mendon se mund të thotë: ju tani duhet ta pranoni Kosovën e pavarur, kjo nuk do të ndodhë.”
Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian tha se BE po pret që dialogu mes dy vendeve të vazhdojë në mënyrë konstruktive.
“Shtetet anëtare të BE presin që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim.”, tha Lajçak.
Ai theksoi gjithashtu se vendet anëtare të BE presin që të dy palët të zbatojnë gjithçka që është rënë dakord brenda procesit të dialogut për këto dhjetë vjet.
Lajçak para se të largohej nga Prishtina ku qëndroi 3 ditë, përmes një postimi në rrjetin e tij social TWitter tha se dialogu është i një rëndësie të veçantë për aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe se BE-ja pret vazhdimin e tij.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ai ka takuar kreun e LVV-së, Albin Kurti, partisë fituese më 14 shkurt në zgjedhjet parlamentare vendore. Ata diskutuan rreth dialogut Kosovë-Serbi ku Kurti theksoi se një gjë e tillë nuk është prioritet në programin e tij politik, megjithëse tha se është një gjë me rëndësi. Më pas takoi presidenten në detyrë Vjosa Osmanin, kryeministrin në largim Avdullah Hoti si dhe kreun e PDK-së Enver Hoxhaj.