TURQI– Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan do të vizitojë Malin e Zi me 28 gusht, njofton Ministria e Jashtme e vendit.
Dakordimi rreth vizitës erdhi pas takimit në Kiev të ministrit të Jashtëm, Gjorgje Radulloviq me homologun e tij turk Mevlut Çavushollu. Vizita e paralajmëruar vite më parë dhe e shumëpritur në mal të Zi cilësohet si historike në kohën kur Mali i Zi dhe Turqia po zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe bashkëpunim në të gjitha fushat.
Sipas mediave të huaja, ende nuk dihet se me kë do të takohet dhe se rreth çfarë do diskutohet.
Ministria e Punëve të Jashtme i tha jozyrtarisht mediave të Malit të Zi se ata nuk kanë ende detaje. Përpara vizitës së presidentit turk në Malin e Zi, reisi i Bashkësisë Islame, Rifat Fejzić, thotë se pritet që shteti të përfitojë ekonomikisht nga ajo vizitë dhe të forcojë bashkëpunimin me Turqinë.