Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, i ftuar në Çim Peka LIVE, komentoi dy nga akuzat që ka ngritur propaganda qeveritare ndaj tij. Fillimisht komentoi akuzat për vilan dhe pasurinë.
“Që ditën e parë që kam hyrë në politikë, çdo pronë dhe pasuri e imja ka qenë transparente. Nuk kam hyrë si një njeri i varfër në politikë. Edhe ato që kam vënë, i kam transparente dhe të dokumentuara. Unë dhe gruaja ime i kemi lejuar vetes një stil jetese të mirë pa hyrë në politikë.
Të tjerat janë gënjeshtra dhe për këto janë paditur në prokurori. Por ata nuk vijnë në gjykatë që të përballen pasi dënohen. Nuk kam asnjë vilë, nuk kam asgjë nga këto që thonë. Aty ku jetoj jam me qira. Kontratën e qirasë e ka Edi Rama te tatimet,” tha Basha.
Më tej, Basha komentoi mitin e ngritur nga qeveria se ai ‘fle gjumë’.
“Unë jam njeri që kam rekorde publike. Kurse kryeministri ka 119 ditë që nuk ka qenë në krye të detyrës. Kjo sepse i gjithë aktiviteti i tij është vetëm propagandë,” tha Basha.
Ai theksoi se kur ishte ministër transportesh, punonte deri 18 orë në ditë për Rrugën e Kombit. Më pas si kryediplomat punoi për pavarësinë e Kosovës, futjen e vendit në NATO dhe heqjen e vizave. Kurse si ministër i Brendshëm ka punuar për të vendosur rekordet më pozitive kundër krimit.
“Dita ime edhe tani nuk mund të jetë ndryshe. Kur je futur me këtë përkushtim në politikë, pak ndryshim ka nëse je në qeveri apo në opozitë, ti je i detyruar të sakrifikosh. Kush beson te kjo punë dhe tek ky mision, duhet të bëhet gati që të sakrifikojë nga jeta personale dhe familjare”.
“Ja ku po e them shkurt: Kaloj 4-5 ditë pa i parë fëmijët për shkak të orarit. Kurse këta punë quajnë vjedhjen,” tha Basha.