Sektori bankar ka ristrukturuar rreth gjashtë miliardë lekë kredi në gjysmën e parë të këtij viti.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vlera e kredisë së ristrukturar ngelet në përmasa relativisht të vogla, pavarësisht sprovës së pandemisë mbi aktivitetin ekonomik në vend.
Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit të marra në analizë nga Banka e Shqipërisë, për periudhën nga mesi i vitit 2020 në mesin e vitit 2021, kredia totale e ristruktuar ishte 27 miliardë lekë. Pjesa dërrmuese e kredisë së ristrukturuar, ose rreth 90% e saj, është kredi e marrë nga bizneset. Kredia e ristrukturuar gjatë kësaj periudhe ishte sa 4% e tepricës së përgjithshme të kredisë dhe sa 60% e stokut të kredive me probleme. Në 78% të rasteve, ristrukturimi është realizuar me kërkesë të klientit.
Nga sektorët e ekonomisë sipas llojit të aktivitetit prodhues, sektori i industrisë është sektori që ka paraqitur kërkesën më të lartë për ristrukturim kredish. Bizneset kredimarrëse nga sektori i industrisë kanë ristrukturuar rreth 14% të stokut të përgjithshëm të kredisë. Kredia e ristrukturuar për këtë sektor ishte sa rreth 35% e gjithë vëllimit të kredive të ristrukturuara nga sektori bankar gjatë kësaj periudhe. Ristrukturimet për bizneset e industrisë janë kryer kryesisht gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe, sektori i industrisë ishte një nga sektorët me rënien më të fortë të prodhimit dhe me kontributin më të madh në tkurrjen e ekonomisë vendase, çka ndikoi edhe në rritjen e vështirësisë së aftësisë paguese të bizneseve kredimarrëse në këtë sektor.
Dy sektorë të tjerë të ekonomisë, me peshë të konsiderueshme në vëllimin e kredive të ristrukturuara gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ishin sektori i tregtisë dhe ai i turizmit. Kredia e ristrukturuar për këta sektorë ishte rreth 8 miliardë lekë ose sa 1/3 e kredisë së përgjithshme të ristrukturuar gjatë periudhës. Ecuria e dobët ekonomike vitin e kaluar, shkaktuar nga pandemia Covid-19, është vënë re edhe për sektorin e turizmit, për të cilin rreth 11% e stokut të kredisë i është nënshtruar ristrukturimit.
Nga raportimet e bankave vihet re që kreditë e ristrukturuara kanë qenë kryesisht në monedhë të huaj. Kreditë e prekura nga ristrukturimi ishin në pjesën më të madhe kredi të klasifikuara si kredi me performancë të rregullt, megjithatë janë ristrukturuar edhe kredi të klasifikuara si kredi me probleme. Vlera e ristrukturimeve për kreditë me probleme ishte relativisht e ulët (rreth 6.5 miliardë lekë) por si peshë ndaj tepricës së kredive me probleme, ky vëllim ishte i konsiderueshëm, rreth 15%.
Format kryesore të ristrukturimit të përdorura nga bankat janë zgjatja e afatit të maturimit, kapitalizimi i interesit ose kamatvonesave, ndryshim i principalit dhe caktimi i një periudhe faljeje për principalin ose interesin e kredisë. Mbi 60% e kredisë së ristrukturuar është kryer në formën e zgjatjes së afatit të maturimit. Pjesa tjetër është kryer duke ofruar një periudhë faljeje të principalit ose interesit dhe duke ndryshuar principalin.
Marrë nga Monitor.al