Policia e Prokurorisë Speciale të Hagës e ka bastisur shtëpinë e ish zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Deri tani nuk ka hollësi për bastisjet, por bëhet e ditur se Krasniqi do të akuzohet për krime lufte.
Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale për krime lufte, konfirmoi se është duke e zhvilluar një operacion bastisjesh në Prishtinë. Ky operacion është mbështetur edhe nga Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e misionit EULEX. Hollësi të tjera nuk jepen. Bastisje po kryhen që nga paraditja në shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, dhe ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi. Gjatë muajit korrik të vitit 2019, Jakup Krasniqi ishte intervistuar nga Gjykata Speciale.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, thuhet në një njoftim të Prokurorisë Speciale.
Aktakuza kundër Krasniqit
Por njëri nga avokatët mbrojtës së Jakup Krasniqit, Valon Hasani, thotë se “Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, gjatë ditës së sotme transferohet për në Hagë”, ku tani më është ngritur aktakuzë për krime lufte. Prokuroria Speciale dhe familjarët e Jakup Krasniqit nuk e kanë konfirmuar akoma këtë informacion.
“Krejt çfarë mund të konfirmoj është që ka një bastisje. Aktakuza është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, deklaroi për mediet lokale avokati Valon Hasani. Pjesëtarët e misionit EULEX-it, pos në Prishtinë bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit edhe në fshatin e tij të lindjes, në Negrovc të Komunës së Drenasit.
Reagimet e autoriteteve
Pas zhvillimeve dhe operacioneve të Gjykatës Speciale, reagoi qeveria e Kosovës e cila tha se Kosova ka dhënë shembull për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare.
“Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj në vazhdimësi kanë dhënë shembull për respektimin dhe bashkëpunimin me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare. Njëjtë do të veprohet edhe kësaj radhe me Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast, përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente”, thuhet në një komunikatë të qeverisë.
Reagim pati edhe nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili muaj më parë edhe vet është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Bastisjet nga policia e EULEX-it, Haradinaj i cilësoi si “jo në përputhje me standardet e shteteve demokratike”.
“Defilimet e tilla të EULEX-it, veçanërisht në prani të familjarëve, janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor. Operacionet e tilla, nëse kërkohen nga organet e drejtësisë, mund të kryhen nga Policia e Kosovës”, shkruan Ramush Haradinaj.
retendimet e Prokurorisë
Dhomat e Specializuara, apo siç njihet me emrin Gjykata Speciale për Krime Lufte, trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë. Gjykimi i parë në këtë gjykatë tashmë po zhvillohet ndaj një ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i cili akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme”. Mustafa i ka mohuar akuzat në një paraqitje para gjykatës më 28 tetor.
Me 24 qershor të po këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit edhe kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Prokuroria Speciale i “akuzon”, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si përgjegjës “për 100 vrasje të paligjshme”. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë “qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Kjo aktakuzë akoma zyrtarisht nuk është konfirmuar apo hedhur poshtë.
Presidenti Thaçi ka deklaruar se në rast konfirmimi të aktakuzës do të japë dorëheqje nga posti i tij.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbëngulësinë e bashkësisë ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, për përfshirjen e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime lufte dhe në trafikim organesh.
Prej vitit 2019, mbi 200 ish-pjesëtarë të UÇK janë marrë në pyetje si të dyshuar dhe dëshmitarë.
DW