Projekti i mirëmbajtjes së rrjetit rrugor shqiptar në bazë performance, përmes katër kontratave aktive është rishikuar së fundmi dhe pritet të ketë ndryshime në dy drejtime.
Së pari në lidhje me fondet ku financimi prej 80 milionë USD i këtij projekti është kërkuar që të ulet në 65 milionë USD me kërkesë të qeverisë shqiptare dhe së dyti që afati të shtyhet me të paktën një vit për mbylljen. Kështu në dokumentet e bëra publike nga Banka Botërore kërkohet që data e re e mbylljes së projektit të jetë 31 dhjetori i vitit të ardhshëm.
Për herë të parë autoritetet shqiptare propozuan pranë Bankës Botërore ristrukturimin e projektit në vitin 2019 dhe më pas me një kërkesë formale kjo u bë në nëntor 2020. Në dokument thuhet se projekti në tërësi ka hasur një sërë problematikash që kanë bërë që vlerësimi i tij i vazhdueshëm të mbetet si i kënaqshëm në mënyrë të moderuar dhe kjo më së shumti lidhet me fazën e parë të prokurimit dhe më pas lidhjes së kontratave me katër operatorë për mirëmbajtjen e 1335 kilometrave rrugë.
“Në fund të Dhjetorit 2020, projekti rezulton me një progres të përgjithshëm mesatarisht të kënaqshëm, dhe ndërsa pritej që të arrinte objektivat për mirëmbajtjen e kushteve të rrugëve dhe përmirësimin e sigurisë rrugore, treguesit e lidhur me disbursimin mirëmbajtjen rutinë periodike dhe përmirësimet e sigurisë do të arriheshin pjesërisht për shkak të kohës së pamjaftueshme për të finalizuar operimin në bazë të performancës për afat 5-vjeçar brenda periudhës aktuale të projektit.
Pas një procesi të gjatë të prokurimit, kontratat janë dhënë në fillim të vitit 2017 dhe po zbatohen nga ARRSH në 1,335 kilometra të Rrjetit Kombëtar të Shqipërisë. Ato monitorohen dhe mbikëqyren nga një konsulent ndërkombëtar i përbërë nga një ekip ekspertësh të specializuar, të cilët janë gjithashtu përgjegjës për të kryer sondazhe periodike mbi kushtet e rrugës dhe përmirësimet e sigurisë. Këto kontrata janë tani në vitin e katërt dhe kanë kryer (a) mirëmbajtje dhe rehabilitime periodike në seksione rrugore specifike (b)mirëmbajtje rutinë dhe dimërore, (c) përmirësim dhe ndërhyrje të sigurisë rrugore, dhe (d) reagim emergjent në rastet e forcës madhore” thuhet në dokumentin e BB.
Aktualisht për projektin e mirëmbajtjes së rrugëve në bazë performance janë disbursuar 49.62 milionë dollarë nga 80 milionë dollarë të planifikuar në fillim të projektit si mbështetje vetëm nga Banka Botërore. Qeveria në këtë projekt duhet të bashkëfinanconte pjesën e saj.
Marrë nga Monitor.al