Pjesëmarrja në procedurat e prokurimit të hapura nga autoritetet kontraktore bëhet nga ana e operatorëve ekonomikë vetëm nëse këta të fundit përmbushin kushtet.
Por vitin e kaluar Agjencia e Prokurimit Publik u sinjalizua për 62 kompani për të cilat u kërkua përjashtim nga pjesëmarrja në garat publike të hapura nga institucionet. Vetëm gjysma e tyre janë përjashtuar pasi është bërë hetimi administrativ.
Por cilat janë arsyet që kanë çuar përjashtimin e kompanive nga prokurimet në vitin 2020. Sipas APP në shumicën rasteve operatorët kanë paraqitur dokumentacion të rremë.
“10 operatorë ekonomikë, janë përjashtuar nga pjesëmarrja në prokurimet publike për shkak të keqinformimit dhe paraqitjes në tender të dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme, sipas përcaktimeve të nenit 13/3/a LPP, përkatësisht: 7 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak se kanë keqinformuar për qëllime kualifikimi, autoritetin kontraktor; 3 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak se kanë keqinformuar duke paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi”, thuhet në dokument.
Nga ana tjetër 6 operatorë ekonomikë janë përjashtuar për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale, sipas përcaktimeve të nenit 13/3/ç të LPP.
Sa i takon dokumentacionit APP vëren se është bërë keqinformim përmes paraqitjes në tender të deklaratës së gjendjes gjyqësore, ku shoqëria ka deklaruar se nuk është dënuar për shkelje penale, keqinformim sa i takon informacionit të dhënë në vetdeklarimin e operatorit ekonomik mbi mosangazhimin e inxhinierëve të stafit të tij apo drejtuesit teknik në kontrata të tjera, keqinformim sa i takon vet deklarimit nga operatori ekonomik se ka paguar detyrimet tatimore, ndërkohë që nga verifikimi i kryer pranë organeve tatimore ka rezultuar se subjekti ka pasur detyrime të papaguara.
“Si raste të konstatimit të dokumenteve me të dhëna të rreme, përmendim: paraqitja e certifikatave ISO dhe CE, të cilat pas verifikimeve kanë rezultuar se nuk janë lëshuar nga organizmat certifikues TUV dhe Enterocerma; paraqitja e vërtetimit që operatori ekonomik ka një numër të caktuar punëtorësh të siguruar, ndërkohë që nga verifikimi rezulton se numri i pasqyruar në këtë vërtetim është i rremë; paraqitja e faturave tatimore për të vërtetuar përmbushjen e kriterit për eksperienca të ngjashme, ndërkohë që, organet tatimore kanë konfirmuar se nuk janë të sakta. Nuk përputhen deklarimet në libra me fotokopjet e faturave, vlera e faturave të vëna në dispozicion kanë një zero më shumë së çdo deklarim i bërë nga subjekti në librat e shitjes”, thuhet në dokumentin vjetor të APP.
Sa i takon rasteve të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore rezulton se, ka pasur 6 vendime për përjashtime të operatorëve ekonomikë. Vendimet e përjashtimit të dhëna në këto raste, kane qenë për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore gjatë kontratave të nënshkruara kryesisht në përfundim të procedurave të prokurimit me vlerë të vogël, por edhe për mospërmbushje të kontratave të nënshkruara pas zhvillimit të një procedure konkurruese prokurimi.
Marrë nga Monitor.al