Pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se gjatë orëve të mbrëmjes do të mbahet mbledhja e Këshillit të Sigurisë.
Kryeministri këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media, ku ka folur për situatën aktuale në veri të vendit.
“E kam ftuar një mbledhje të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, e cila pritet të mbahet gjatë orëve të mbrëmjes”, tha Kurti.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se tensionet e fundit në veri janë shkaktuar nga deklarimet nxitëse në Beograd. Ai ka thënë se Serbia dëshiron ta eskalojë situatën.
“Serbia po provokon konflikt serioz. Ftesës së Brukselit për bisedime i jemi përgjigjur pozitivisht, prandaj provokimet e tilla, pengesat dhe bllokadat e krijuara, përfshirë edhe sulmet janë të tilla sepse frika dhe kaosi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës të saj”, ka thënë ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media.