Në mes të janarit të këtij viti nisi aplikimi online për subvencionimin e naftës për fermerët që kanë të regjistruar aktivitetin e tyre.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se janë rreth 17 mijë aplikime të bëra nga ana e fermerëve për të përfituar nga kjo lehtësi dhe se procesi i verifikimit të tyre është drejt fundit. Këto të dhëna u raportuan në raportin e monitorimit të periudhës janar-prill të kësaj ministrie. Kjo e fundit sqaron gjithashtu se janë shpallur listat pjesore, sipas VKM dhe udhëzimit përkatës, ka filluar shpërndarja e kartave të naftës, si dhe tërheqja nga fermerët.
Nga kjo politikë e deklaruar më herët nga qeveria shihen si përfitues potencialë 50 mijë fermerë që janë të regjistruar me NIPT. Për tu pajisur me NIPT fermerët duhet që të plotësojnë disa dokumente duke nisur nga aplikimi për regjistrim sipas formularit përkatës të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme të kërkuara, nënshkruar nga kërkuesi. Po kështu dokumenti origjinal i identifikimit (letërnjoftimit)/ose kopje të noterizuar të këtij dokumenti, i cili i bashkëngjitet aplikimit për regjistrim. Si dhe vërtetimin origjinal, lëshuar për fermerin nga AREB-i(Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor ) përkatës, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i fermerit.
Për aktivitetin prodhues bujqësor që kryhet në të njëjtin vend/adresë (tokë bujqësore ose adresë ku kryhet veprimtaria bujqësore/blegtorale) në pronësi ose në përdorim, ky vërtetim, për qëllime të pajisjes me NIPT, lëshohet vetëm në emër të një fermeri.
Për pajisjen me NIPT të fermerit, janë të detyrueshme këto të dhëna: a) të dhënat e identifikimit të fermerit, adresa e banimit, kontakte të personit; b) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore. Për të njëjtin vend të veprimtarisë /adresë të ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore, pajiset me NIPT, vetëm një fermer i cili ka në pronësi ose në përdorim dhe ushtron veprimtarinë në këtë vend; c) vendi i ushtrimit të veprimtarisë prodhuese bujqësore; d) fusha/(at) e veprimtarisë prodhuese bujqësore, në qoftë se është e përcaktuar, ose nëse fermeri kryen disa veprimtari prodhuese bujqësore, atëherë specifikohen disa duke filluar nga ajo që mban peshën kryesore; ç) specimeni i nënshkrimit (firmës) të individit-fermer.
Më herët ministria ka sqaruar se norma e kompensimit të prodhuesve bujqësorë është 6 për qind. Taksa e naftës 80.4 lek/litër (zbritet për aplikuesit në skemën e mbështetjes me naftë për bujqësinë).