Reshjet e dendura të shiut që kanë vijuar gjatë gjithë natës kanë krijuar probleme në disa qytete të vendit.
Në qytetin e Lezhës kanalizimet nëntokësore nuk e kanë përballuar nivelin e prurjeve dhe uji ka dalë në sipërfaqe. Situata më problematike paraqitet në lagjen ‘Besëlidhje’, ku përmbytja ka vështirësuar lëvizjen e këmbësoreve dhe automjeteve. Për pasojë janë përmbytur edhe oborret e shkollave “Kosova” dhe “Besëlidhja” duke bërë që nxënësit dhe mësuesit të mos hyjnë dot në klasë.
Në Shkodër për shkak të reshjeve të shiut dhe shkarkimeve nga Hidrocentralet, sipërfaqja totale e përmbytur në bashkinë e Shkodrës është rreth 1 000 Ha, 600 hektarë më shumë krahasuar me ditën e djeshme. Ndërsa fshatrat Mushan, Shirq, Suka të njësisë Administrative, Dajç, janë pa energji elektrike po ashtu edhe pjesa më e madhe e njësisë së administrative, Velipojë. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit ndërsa kërkohet një mjet ushtrie i lartë për bërë të mundur kalueshmërinë në rrugën e Obotit.
Në Vlorë gjatë mbrëmjes dhe gjatë ditës së sotme ka prani të erës së fortë, ndërkohë që mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit vijon të jenë të pezulluara. Në pothuajse 17 fshatra raportohet për 20 abonentë, të cilët nuk kanë akses në energjinë elektrike. Po ashtu, pa energji është dhe një shkollë në Dukat.
Në Durrës, porti është përfshirë nga një stuhi detare dhe për pasojë është shtyrë lundrimi i trageteve drejt Barit.